Nga Gazeta ‘SI’ – Një ditë më parë (5 maj), në takimin e tij me banorët e Dibrës, ish-kryeministri Sali Berisha i kërkoi atyre ta tregonin dashurinë për vendin e tyre me një votë kundër Skavicësm HEC-i që sipas tij do të zhdukë Dibrën.
Projekti i Skavicës është ndër ato që Berisha ka premtuar të ndalojë në rast se rikthehet në krye të qeverisë, ndonëse herën e fundit që ai ishte aty, e përshkruante atë si një ëndërr që nuk mund të rrijë më në sirtare.
Edhe pse e kundërshton fort tani, Berisha dikur e donte projektin e Skavicëa dhe synonte që nëpërmjet saj ta kthente Shqipërinë në një fuqi rajonale të energjisë.
Ai e shpalli për herë të parë planin e tij në dhjetor të 2008-s, pas një mbledhje qeverie dhe porositi ministrin e Energjisë së asaj kohe dhe kreun e KESH të nisnin sa më shpejt me shqyrtimin e projektit, duke parashikuar se mandatin e ardhshëm ajo do të ishte vepra kryesore publike.
Me një kosto gjysmë miliardi euro, Berisha tregonte se një HEC i ri në Skavicë do të shtojë prodhimin e energjisë me 350-400 megavat, si edhe do të shërbejë si mburojë për zonën e Shkodrës duke shmangur përmbytjet atje.
Kryeministri që e risolli përsëri projektin pas qeverive paraardhëse, atë kohë tha se qeveria e tij ishte përballë dy zgjedhjeve për ndërtimin e HEC Skavicës: ose tender, ose ta ndërtojë qeveria, alternativa që ai vetë preferonte më shumë.
“Skavica normalisht duhet të kishte qenë hidrocentrali i parë që duhej ndërtuar në kaskadën e Drinit. Pozicioni i saj e bën atë një nga vendet më të përshtatshme në Europë për ndërtimin e një HEC-i. Skavica përbën edhe nënën e digave nën të, në sensin e ushqimit të tyre të pandërprerë, me sasitë e nevojshme të ujit për turbinat e Fierzës, Komanit, Vaut të Dejës dhe Ashtës. Skavica jo vetëm që shton rreth 350-400 megavat prodhim energjie, por ajo optimizon tërë funksiononim e kaskadës. Në rast se këtë janar, pavarësisht nga fatkeqësia natyrore, KESH-i ia doli të prodhojë një sasi të paprodhuar kurrë më parë, rreth 700 milion kilovat/orë, ndërtimi i Skavicës këtë prodhim e bën të mundur në tërësi, pa varësi të mëdha nga koha, edhe pse sigurisht që ka një ndikim, por shumë më të vogël. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për 350-400 megavat që do të prodhojë ky hidrocentral, por janë, së paku, mbi 1 miliard kilovat/orë që do të prodhojnë më shumë të gjitha hidrocentralet e kaskadës”, do të analizonte atëherë kryeministri.
Pak muaj më vonë, më 8 qershor 2009, në inagurimin e nisjes së punimeve në kaskadën mbi Devoll, Berisha ripërsëriti se një tjetër projekt i madh energjetik pritet të jetësohet, referuar Skavicës, që do të plotësonte qëllimin e tij për ta kthyer Shqipërinë në një fuqi energjetike në rajon.
“Skavica, përbën edhe nënën e digave nën të, në sensin e ushqimit të tyre të pandërprerë, me sasitë e nevojshme të ujit për turbinat e Fierzës, Komanit, Vaut të Dejës dhe Ashtës. Skavica jo vetëm që shton rreth 350-400 megavat prodhim energjie, por ajo optimizon tërë funksiononim e kaskadës.”
Qeveria e kryeministrit Sali Berisha hapi tenderin për ndërtimin e HEC-it të Skavicës në të cilën morën pjesë gjashtë kompani të huaja, mes të cilave, përveç TGK, ishin edhe Korporata Energjetike e Koresë së Jugut, shoqëria norvegjeze STATKRAFT, dy kompani austriake VERBUND dhe KELAG GRUP, si dhe konsorciumi gjerman “R.W.E” AG.
Por projekti mbeti veçse në letër e kurrë nuk u zbatua në terren. Komisioni i vlerësimit të ofertave duhej të shpallte fituesit për vazhdimin në fazën tjetër, por kjo nuk ndodhi kurrë. Qeveria shqiptare e asaj kohe pranoi dështimin vetëm një vit më vonë, duke ia vendosur këtë faj, krizës ekonomike që kishte filluar të godiste eurozonën.
Atëherë kryeministri Berisha tha se për ndërtimin e këtij hidrocentrali, ideja e të cilit ekziston prej gati 30 vjetësh në vend, u afruan kompanitë ndër më të mëdhatë në Europë në fushën energjetike, por që, për shkak të krizës së thellë financiare botërore, të mos i qëndrojnë këtij projekti. Në këtë kontekst, qeveria, tha Kryeministri, po sheh mundësinë e marrjes përsipër të realizimit të këtij projekti madhor, parimi i të cilit do të jetë përmbytja më e vogël, prodhimi më i madh.
Vitin e shkuar, më shumë se një dekadë pas qeverisë Berisha, Top Channel zbuloi dokumentet e këtij projekti që u ishte dhënë francezëve. KESH i kishte paguar 350 mijë euro kompanisë franceze. Sipas këtyre dokumenteve, projekti parashikonte që hidrocentrali të kishte dy diga një në Katund të Ri dhe një në Skavicë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje