Politike

‘Hip se të vrava, zbrit se të vrava’

Kjo shprehje e urtë popullore u shkonte për shtat organeve te reja të drejtësisë që të enjten në Kuvend raportuan për veprimtarinë e tyre vjetore. KLGJ, KLP, ILD, SPAK e Prokuroria e Përgjithshme, secila duke shpalosur statistika e shpërfaqur prioritete.

Asnjë koment nga deputetët teksa kalonin rëndom faqet e raporteve vendosur dëng mbi tavolina.

Ai që prishi rutinën ishte Sali Berisha.

Berisha u shfaq në Kuvend vetëm pak minuta pas përfundimit të leximit në radhë të raporteve për të akuzuar drejtësisë dhe kryesisht SPAK se nuk po heton për inceneratorët, tenderat, koncesionet, drogën, rritjen e çmimit të naftës, e deri për shtëpinë e ‘lirë’ që Edi Rama ka ndërtuar në Surrel.

Berisha përmendi për herë të parë edhe pallatin e vjehrrit të Lulzim Bashës, një gjyq që i ndjeri e kishte fituar me qeverinë në Strasburg, por që vetëm para tre javësh (referuar asaj që tha Berisha) qeveria i akordoi 11 mln eurot si dëmshpërblim.

Pas Berishës në radhë edhe deputetë të tjerë, kryesisht nga mazhoranca.

Fatmir Xhafaj u shfaq i qejfmbetur se pse SPAK po rendte ndaj statistikave dhe jo çështjeve kryesore.

Pandeli Majko me sinjal për SPAK-un kur i kujtonte politikës se prangat i kanë ardhur bash në derë.

Ndërsa Damian Gjiknuri që ankohej se pse drejtësia po vepronte vetëm nga njëra anë, pasi kështu po ‘dëmtohej imazhi i shtetit’.

Për të përfunduar tek Enkelejd Alibeaj, i cili referuar ndërtimeve në qendër të Tiranës apo ‘kontrabandës së naftës’, priste që sonte SPAK dhe Prokuroria të nisnin dy procedime penale ndaj Ramës dhe ministrave të tij…


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë