Politike

Xhafaj: Presim më shumë nga SPAK, s’duhet të rendin pas statistikave, por te çështjet kryesore

Ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ishte kritik me institucionet e reja të drejtësisë, drejtuesit e të cilëve raportuan veprimtarinë për vitin 2021   

“Për të tretin vit radhazi, Kuvendi kryen këtë proces llogaridhënie publike me institucionet e reja të drejtësisë. Seancat dëgjimore në komisione janë dëshmi e faktit dhe reformimi i drejtësisë është një proces pa kthim, me rezultate të prekshme. Institucionet e reja të drejtësisë ndodhen para sfidave të vështira, por plotësisht të arritshme, nëse dëshmojnë një ritëm më të mirë në punën e tyre, sipas vëzhgimit tim.

Ata duhet të dëshmojnë se ndryshimi thelbësor që ka sjellë kjo reformë, pavarësia, është duke u jetësuar në vendimmarrjen e tyre. Një realitet ligjor ky, por ende një realitet i prekshëm, kur sheh që ende prokurorët ndikohen në vendimmarrjen e tyre nga drejtuesit e tyre, nga individë që kërkojnë të kthejnë frymën klienteliste.

Teksa flasim për pavarësi dhe përgjegjshmëri, mbetet prioritet ndalimi i çdo përpjekjeje të brendshme apo të jashtme për të ndikuar te vendimet. Ndikimi i paligjshëm në drejtësi ka ardhur koha të ndëshkohet fortë. Duhet identifikuar dhe parandaluar përpjekja e disave për të krijuar benefite personale për rrethin e tyre familjar apo shoqëror, brenda apo jashtë sistemit”, tha ish-ministri Xhafaj.

“Nuk është normale që KLP, edhe tre vite pas ngritjes, nuk ka miratuar akoma rregulloren. E papranueshme mungesa e komunikimit të organeve të drejtësisë, e pafalshme mbajtja e qëndrimeve publike. Bashkohem me ata që kanë më shumë pritshmëri tek organet e drejtësisë, e veçanërisht te SPAK, sa i përket goditjes së grupeve kriminale dhe korrupsionit. Nuk duhet të rendin pas statistikave, por duhet të fokusohen te çështjet kryesore. Janë çështje “ të vjetra” në kohë dhe të reja, por të gjitha me ndjeshmëri të madhe.

Për disa të tjerë të flakur nga sistemi për pasuri marramendëse, deri në miliona euro, shkojnë në Durrës, Elbasan e Tiranë, me shpresën se mund të gjendet aty ndonjë prokuror që mund të shërbejë si lavatriçe. Duhet të parandalojmë këto dukuri. Ne këtu dhe gjerësisht qytetarët me shumë të drejtë kërkojmë rezultate ndaj njerëzve të drejtësisë.

Disa këtu nuk reshtin duke qarë për rikthimin e asaj drejtësie, që përdornin. Duhet hequr dorë nga gjuha denigruese dhe presioni. Roli i Kuvendit mbetet thelbësor në zbatimin e Reformës në Drejtësi. Kuvendi ka hapësirat e duhura ligjore për ta ushtruar këtë përgjegjësi.

Ju pëlqen apo jo, pa mbështetjen e partnerëve, pa luftën e tyre ndaj demonëve të vjetër, nuk mund të kishim Reformë në Drejtësi…”, tha Xhafaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë