Politike

Humbi Elbasanin, Boçi: Fituan karriget. Zgjedhje si në kohën e Enverit, s’ka plumb por industri shtetërore  

Pas humbjes në Elbasan, Luçiano Boçi, Ka reaguar për herë të parë ecurinë e zgjedhjeve ku më shumë se për Elbasanin ai flet për fenomenin që shoqëroi procesin

“Disa fituan. Fituan si fituan, me para, me dhunë apo me truke kompjuterike, ata sot tundin me krenari të shpifur parrullën shtegdalëse: “Fituesi nuk gjykohet” (shpikësi i saj duhet të ketë qenë fitimtari më i dëshpëruar i historisë dhe i planetit)

Fituan karriget, interesat, sigurinë e mos hyrjes së gjembit në këmbë. U lehtësuan disi nga mëkatet e fajet e mbishpinës e fundshpinës.

Disa shumë, ata më fatkeqët, fituan më në fund atë, varfërinë e sigurtë, që siç duket është qëllimi final i jetës së tyre.

Shumë humbën: dikush përfundimisht dinjitetin për aspra administartive, ose situative. Dikush humbi votën, dikush drejtimin e dëshirat për të bërë diçka ndryshe në moçalin e molepsur të politikës.

Shumë humbën shpresën e besimin se këtu nuk do valviteshin më  flamujt e një melankolie dhe depresioni unik ekonomik e social.

Të tjerë dolën ashtu siç hynë. Verbërisht, nën kompleksin e Stokholmit, duke ndjekur me shterim admirues dhunuesin sistematik të qënies fizike e kulturore të tyre”, shkruan ai.

Ai heq një paralelizëm me zgjedhjet në kohën e diktaturës.  

“Plumbi ka dalë jashtë mode krejt dhe është zevendësuar me një industri perfide shtetërore hakmarrje dhe persekutimi, e cila ngjan si trëndafil i ngjyrosur instagrami, por që është një mekanizëm diabolik kontrolli dhe detyrimi i kushtëzuar. Tani nuk vritesh por rrezikon të mbetesh pa punë ti dhe familjarët. Nuk deportohesh, por survejohesh, linçohesh publikisht, gjobitesh në mënyrë “të drejtë” e dashamirëse. Aq më tepër sot je i lirë të vetëarratisesh ku të duash e si të duash. Mjafton mos prishësh qetësinë e lumturisë që sundon kudo. Nuk pushkatohesh por të merret prona, shkatërrohet investimi e çdo gjë tjetër si komisioner rrugaç e i pabindur, kundërshtar  i shtetit tonë demokratik.

Armiqtë ideologjikë të Hoxhës edhe sot shkelin syrin e japin viston e shprehen për një proces zgjedhor të pranueshëm demokratik (çfarë komedie gjigande!?).

Ndoshta zgjedhjet tashmë e kanë kaluar stadin e votës dhe operojnë në sfera më të larta, që nuk shihen, por që duhet të kuptohen e ndoshta ata që humbën nuk e kanë kapur ende kohën…”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë