Politike

Inceneratorët/ Tabaku nxjerr dokumentet: Si kaluan 17 procedura brenda një dite për një kompani që nuk kishte as para dhe as eksperiencë   

Kryetarja e komisionit hetimor për inceneratorët, Jorida Tabaku ka publikuar disa dokumente që sipas saj vërtetojnë shkeljen e procedurave për dhënien e koncesionit për kompaninë në pronësi të bashkëshortes së Mirel Mërtirit, administratoren e Albtek, Stela Gugallja.

Sipas PD-së, në datën 16 dhjetor të vitit 2014 u përshpejtuan 17 procedura brenda ditës.

Tabaku beri publike korrespondencën e ish – ministrit Lefter Koka me ish – Ministrin Shkëlqim Cani, përmes Komisionit të Dhënies me Koncesion të Inceneratorëve.

Tabaku rendit se Koka i kërkon Canit, miratimin e vlerës financiare të inceneratorit. Ndërkohë që Shkëlqim Cani i kthen një përgjigje Lefter Kokës ku i rreshton mangësitë që ka oferta e kompanisë në pronësi të Stela Gugalljas.

Në letrën e gjatë, Shkëlqim Cani nënvizon “mungesën e një vlerësimi financiar të domosdoshëm”.

Por, Tabaku vëren ndër dokumente se ministri Cani do të detyrohet të firmosë në një mënyrë apo në një tjetër në 10 dhjetor 2014 ndonëse me shumë rezerva sikurse shihet edhe në shkresat drejtuar ish kolegut të tij Koka.

“Dy ditë më vonë Komisioni i dhënies me koncesion të Inceneratorëve shpall fitues në një garë pa garë, kompaninë e Stela Gugalljas.

Ndërsa ministrat Koka dhe Cani ishin në një debat në lidhje me dhënien me koncesion/PPP të inceneratorëve kompania në pronësi të bashkëshortes së Mirel Mërtirit, administratorja e Albtek Stela Gugallja, zhvillonte takime me Ministrinë e Mjedisit.

Dokumentet që ka Komisioni Hetimor i Inceneratorëve tregojnë një shkresë se si Stela Gugallja i ka paraqitur ofertën prej 21.661.000 eurove pa TVSH Ministrisë së Mjedisit. Pikërisht këtë vlerë buxheti i shtetit dhe qytetarët shqiptarë e kanë paguar për një incenerator që nuk punon i plotë”, tha ajo.

Tabaku rënditi gjithashtu se në datën 16 dhjetor u përshpejtuan 17 procedura brenda ditës, duke i cituar me radhë nga hapja e garës për inceneratorin e Elbasanit me një kompani të vetme atë fituese të Albtek Energy e deri tek miratimi i kontratës së lidhur me firmën  e Klodian Zotos, në mbledhjen e qeverisë në 17 dhjetor 2014, pra një ditë më pas kur u hap gara.

“Pas firmës që Edi Rama dhe sekretari i tij i përgjithshëm në kryeministri Agaci hodhi për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit nga e panjohura Gugallja të dhënë në 17 dhjetor. Ai mblodhi dhe një herë gjithë ministrat e tij anëtarë të Këshillit Kombëtar të Territorit për të dhënë një tjetër leje, atë të ndërtimit të këtij inceneratori dhe kjo leje u firmos në fund të janarit 2015.

Pak ditë më vonë në kantinerin e punimit të kompanisë Albtek Energy shfaqet kompania e Integrated Technology Services me pronar Klodian Zoton. Përballë Zotos në të njëjtën tavolinë do të ishte përfaqësuesi i Albtek Energy, Enid Dine (inxhinieri që priti deputetët e Komisionit Hetimor të Inceneratorëve në inceneratorin e Fierit).

Kështu Klodian Zoto do të ishte nënkontraktori i punimeve të kompanisë Albtek Energy që kishte fituar një tender me vlerë 22 mln euro përmes një negocimi pa shpallje dhe me 17 procedura brenda një dite”, tha Tabaku. Ajo nënvizoi se bazuar nga dokumentet  rezulton se kompania e zotëruar nga Stela Gugallja, Albtek Energy, ndonëse u mbështet nga qeveria me një negocim pa shpallje edhe 17 procedura brenda një dite rezulton të mos ketë pasur asnjë lek në xhep për investimin tek inceneratori Elbasanit.

“Dokumenti i shfaqur tregon se kompania e Stela Gugallja ka marrë një koncesion me bekimin e Kokës, Ahmetaj, Gjiknurit, Agaçit dhe Ramës prej 22 mln eurove ndërkohë që pak muaj më vonë ka marrë një kredi nga një bankë e nivelit të dytë në Shqipëri duke vendosur si garanci koncesionin.

Kompania nuk përmbushte jo vetëm kriterin ekonomik dhe financiar, por nuk përmbushte as kriterin teknik, pasi nuk zotëronte as eksperiencë por as teknologji për ndërtimin e impianteve. Kjo është arsyeja se endet pa fituar kontratën, por duke pasur sigurinë se ajo do ishte fituese, lidh kontratë me çelësa në dorë për ndërtim impianti me shoqërinë Energy Recuperator.

Damian Gjiknuri një tjetër koncesion Mirel Mërtirit, 25 vjet të tjera për prodhimin e energjisë.

Dokumentet e shfaqura dje në takimin e komisionit hetimor të inceneratorëve përfshijnë edhe më shumë ish ministrin Gjiknuri, sot sekretar i përgjithshëm i PS, në aferën e inceneratorëve.

Në një VKM të firmosur edhe nga zoti Gjiknuri, rezulton se kompanisë Albtek Energy i është dhënë një tjetër koncesion për 25 vjet në prodhimin e energjisë elektrike që i shtohet koncesionit me vlerë 22 mln euro për 7 vite dhënë në vitin 2014 me 17 procedura brenda ditës. Sot, inceneratori është jashtë funksionit ndërkohë që provat e nxjerra në aferën e tij tregojnë se kompanitë e inceneratorëve kanë krijuar një skemë piramidale ku pronarët paguajnë veten e tyre ndërsa shqiptarët paguajnë kredinë që pronarët marrin për tu vetëfinancuar”, tha Tabaku.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë