Lëvizja Socialiste për Integrim akuzon se hetimi parlamentar për koncesionet e incineratorëve po sabotohet nga një marrëveshje dypalëshe mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.
“Kryetarja e Komisionit duhet të mos kishte lejuar në asnjë moment, heqjen e kamerave që siguronin transparencën për publikun. Komisioni Hetimor me çfarë duket do të përfundojë thjesht me dëshmitarë që nuk dëshmojnë, apo që nuk do mbajnë mend, se çfarë ka ndodhur”, tha përmes një deklarate, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Kryemadhi reagoi pas vendimit të Komisionit Hetimor Parlamentar për të mos marrë dëshmitë e anëtarëve të komisionit që dha koncesionin e incineratorit të Elbasanit. Arsyeja që u citua në këtë vendim ishte një marrëveshje me SPAK për ruajtjen e sekretit hetimor. Kryemadhi e cilëson qesharake.
“Minimumi, Komisioni Parlamentar duhej të informohej: A ka mbivendosje Komisioni Hetimor Parlamentar me SPAK? Nëse anëtarët e Komisionit kanë lidhur marrëveshje me SPAK, ku është marrëveshja? Çfarë statusi kanë anëtarët e Komisionit? A kanë të drejtë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë të informohen nga SPAK kë duhet të marrin në pyetje dhe kë jo?”, thotë Kryemadhi.
Sipas kryetares së LSI-së, analiza e veprimtarisë, apo deklaratat e Pëllumb Abeshit, si Kryetar i Komisionit të Dhënies me Koncesion, si dhe anëtarëve të tjerë të Komisionit, do të zbardhnin qartazi për publikun shkeljet e rënda proceduriale, që siç thotë Kryemadhi, sipas Kryeministrit Rama nuk ekzistojnë.
Në një deklaratë paralele me Kryemadhin ka reaguar edhe deputeti i LSI-së, Petrit Vasili, por me tone shumë më të ashpra ndaj kryetares së Komisionit Hetimor, Jorida Tabaku. Ai akuzon Tabakun se ka gënjyer në një intervistë televizive në lidhje me kallëzimin në SPAK, që siç thotë është bërë edhe nga LSI dhe se LSI-së iu refuzua pjesëmarrja në Komisionin Hetimor sepse do të zbulonte ‘shoë’-un mediatik.
“Tabaku pra e ka një hall të madh, që gënjen kaq trashë dhe publikisht për fakte të shkruara e që flasin vetë dhe halli i vetëm është që të mbulojë refuzimin e LSI-së për të qenë pjesë e Komisionit, sepse prania e saj do të prishte planin e mirëmenduar të shoë-t me këtë Komision”, thotë Vasili.
Gjatë intervistës televizive, Jorida Tabaku deklaroi se janë disa informacione që kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi i ka pasur para se ajo t’i siguronte si pjesë e komisionit hetimor. Ky pohim është marrë si dëshmi nga Petrit Vasili, se pse iu refuzua pjesëmarrja në këtë komision.
“Pra qëllimi i vetëm i këtij refuzimi të egër të LSI për të qenë anëtare e Komisionit Hetimor është sepse prania e saj do ta pengonte shoë-n, mbulimin dhe fshehjen e të vërtetës, gjobëvënien e radhës si dhe krijimin e alibisë që SPAK të mos veprojë, që janë edhe qellimet e vërteta të Komisionit të Tabakut dhe Lulit të saj”, thotë Vasili.
Vasili thotë se kur LSI denonconte këtë aferë në mars të 2021, Lulzim Basha dhe Jorida Tabaku heshtnin, madje kryetarin e PD-së e akuzon se në të njëjtin orar kur LSI denonconte këtë aferë dilte në deklarata e konferenca për shtyp për të tërhequr vëmendjen mediatike.
“Tabaku dhe Luli i saj nuk i mbështeten kurrë ato, por heshtnin totalisht sikur nuk kishte ndodhur asgjë njëlloj siç heshtte rilindja, që ishte edhe fajtorja e madhe. Bile Luli i saj, në atë kohë bënte edhe deklarata enkas në të njëjten kohë me këto denoncime, që të pengonte sa të mundte pasqyrimin e tyre live nëpër TV”, thotë ai.
Vasili e mbyll reagimin duke akuzuar Bashën se po e përdor komisionin hetimor për të vendosur gjobën e radhës.
“Keqardhje e madhe për Tabakun, që Luli i saj pa e kursyer hiçfare e përdor keqas dhe e vendos në pozicione të tilla kaq qesharake dhe butaforike në funksion të gjobëvënies së radhës të tij”, thotë ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje