Bota

Izraeli voton, zgjedhjet e pesta legjislative nga viti 2019. Netanjahu favorit në sondazhe

Gazeta Si – Shteti i Izraelit më 1 nëntor (sot) është thirrur në raundin e tij të pestë zgjedhor që nga viti 2019 për rinovimin e Knesset, parlamenti izraelit me një dhomë.

Në qendrat e votimit, do të shkojnë rreth 6.8 milionë votues, të cilët do të duhet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre mes 39 partive që garojnë për 120 vendet e Dhomës.

Zgjedhjet vijnë pas marrëveshjes historike për caktimin e kufijve detarë mes Libanit dhe Izraelit të nënshkruar më 27 tetor nën qeverinë në dorëheqje të udhëhequr nga Yair Lapid, e kontestuar ashpër nga lideri i partisë opozitare Likud dhe ish-kryeministri, Benjamin Netanjahu.

Sipas sondazheve të fundit, një situatë e ngjashme me zgjedhjet e kaluara po afrohet pa asnjë koalicion në gjendje të marrë shumicën e nevojshme për të formuar një qeveri.

Megjithatë, sipas sondazheve të publikuara para heshtjes zgjedhore nga transmetuesit izraelitë “Kan”, “Channel 12” dhe “Channel 13”, koalicioni i krahut të djathtë i udhëhequr nga kreu i partisë Likud, Netanjahu mund të marrë 60 vende, jo të mjaftueshme për të formuar një qeveri, por që mund të ofrojë mundësi në negociatat me grupe të tjera politike.

Likud i Netanjahut mund të marrë nga 30 deri në 31 vende, duke u bërë partia kryesore brenda Knesset.

Partia Yesh Atid, e kryeministrit në largim, Yair Lapid, mund të marrë nga 24 në 27 vende, ndërsa aleanca midis partive të së djathtës fetare Otzma Yehudit dhe Noam, aleatë të Netanjahut, mund të marrë sërish sipas sondazheve, nga 14 në 15 vende.

Koalicioni i Unitetit Kombëtar, i përbërë nga themeluesi i partisë Blu dhe Bardhë dhe ish-ministri i Mbrojtjes në largim, Benny Gantz, Ministri i Drejtësisë, Gideon Sahar dhe ish-Shef i Shtabit të Izraelit, Gadi Eisenkot, mund të marrë, nga dhjetë deri në njëmbëdhjetë vende. Partia laike e krahut të djathtë, Yisrael Beytenu, do të kishte rreth pesë deri në gjashtë vende, si partia laburiste, ndërsa formacionit të krahut të majtë, Meretz i jepen katër deri në pesë vende të ndjekur nga partia islamike Raam me katër vende.

Për t’u përfaqësuar në Knesset, një parti duhet të fitojë të paktën katër vende ose 3.25 për qind të votave.

Pas zgjedhjeve, listat e kandidatëve që kalojnë pragun e pranueshmërisë, do të marrin një numër vendesh në Knesset në përpjesëtim me fuqinë e tyre elektorale.

Mandati i parlamentit të zgjedhur, zgjat katër vjet, por legjislativi mund të shpërndahet para mandatit.

Kjo mund të ndodhë, për shembull, nëse buxheti i shtetit nuk miratohet brenda tre muajve nga fillimi i vitit fiskal.

Sistemi aktual zgjedhor është rezultat i një sërë ndryshimesh të bëra vitet e fundit, me synim kryesisht uljen e numrit të partive dhe lehtësimin e formimit të qeverisë.

Në fakt, asnjë parti e vetme nuk ka arritur të fitojë një shumicë absolute, e cila ka çuar më shpesh në një qeveri të udhëhequr nga koalicioni.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë