Gazeta Si – Sipas sondazheve, ish-kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu është në rrugë drejt fitores së zgjedhjeve parlamentare, që u mbajtn më 1 nëntor në Izrael.
Rezultatet e sondazheve kanë treguar se blloku i tij i krahut të djathtë ka fituar një shumicë të thjeshtë në Parlament, në krahasim me rivalët e tij.
Një rezultat i tillë do të përbënte kthim dramatik të Netanjahut, i cili është rrëzuar vitin e kaluar nga pushteti, pas 12 vjetëve të udhëheqësisë.
“Jemi afër fitores së madhe”, u ka thënë ai mbështetësve në Jerusalem. Zgjedhjet e kësaj here janë konsideruar si votime për apo kundër kthimit të Netanjahut.
Rezultatet zyrtare, që mund të prodhojnë rezultat tjetër, pritet të bëhen publike në orët në vijim.
Rivali i tij kryesor, kryeministri aktual, Yair Lapid, ka thënë se “asgjë” nuk është e vendosur ende.
Netanyahu, 73-vjeçar, është një prej figurave politike më kontroverse në Izrael, i cili kritikohet nga politikanët e qendrës, mirëpo ka një bazë të madhe të mbështetësve besnikë në partinë e tij Likud.
Ai është përkrahës i madh i projektit të ndërtimit të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor, të pushtuar në luftën e vitit 1967.
Vendbanimet në atë pjesë konsideron ilegale, sipas ligjit ndërkombëtar, ndonëse Izraeli nuk e pranon këtë qëndrim.
Netanyahu kundërshton krijimin e një shteti palestinez në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës, si zgjidhje për konfliktin izraelito-palestinez, formulë e mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë administratën e presidentit amerikan, Joe Biden.
Aktualisht Netanjahu është duke u gjykuar nën akuzat për ryshfet e mashtrime, të cilat vetë ai i hedh poshtë.
Partnerët e tij të mundshëm në koalicionin qeverisës kanë thënë se do të reformojnë sistemin e drejtësisë, hap që do të mund t’iu jepte fund procedurave gjyqësore kundër tij./REL/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje