Vijojnë të mbeten të tensionuara raportet mes Rusisë dhe SHBA-së, sidomos për çështjen e Ukrainës. Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken dhe ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov shfaqën hapur përplasjet mes tyre në një takim të OSBE-së në Stokholm, ku ai paralajmëroi për “pasoja të rënda” nëse Moska vendos të ndjekë konfrontimin.
“Ne nuk e dimë qëllimin e Presidentit Putin. Nuk e dimë nëse ai ka vendosur të ndërmarrë një aksion të ri, agresiv kundër Ukrainës. Por ajo që dimë është se ai po krijon kapacitetin për ta bërë këtë gjë dhe për ta realizuar në një kohë të shkurtër”.
Ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov paralajmëroi se në Europë mund të përsëritet makthi i konfrontimeve të mëdha ushtarake, nëse NATO nuk heq dorë nga planet e zgjerimit drejt lindjes. Këtë ia bëri të qartë edhe sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken gjatë një takimi të veçantë në Stokholm.
Ai shtoi se shqetësimi ishte i përhapur në mesin e partnerëve europianë. “Më e rëndësishme që Rusia të kuptojë, është se veprimet kanë pasoja reale. Një konflikt nuk është as në interesin e Rusisë dhe të askujt”.
Blinken i kërkoi Rusisë “të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”, por Moska ka këmbëngulur se nuk ka ndërmend të sulmojë Ukrainën.
Takimi i nivelit të lartë Rusi-SHBA erdhi pas javësh tensioni, me Kievin dhe aleatët e tij perëndimorë që shprehën shqetësimin për një grumbullim të konsiderueshëm të trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën.
Më herët, ministri i mbrojtjes ukrainas, Oleksi Reznikov, i cili iu referua të dhënave të shërbimeve sekrete vendase, tha se Rusia mund ta sulmojë fqinjitin e tij në fillim të janarit që vjen.
Sipas tij, ekspertët e zbulimit po analizojnë disa të dhëna që nuk e përjashtojnë skenarin e një sulmi në shkallë të gjerë ndaj këtij vendi nga ushtria ruse në javët e para të 2022-shit.
Rusia e sheh si kërcënim afrimin e aleancës veriatlantike në një vend kufitar si Ukraina, që për më tepër ka pasur bashkëpunimin më të ngushtë me ushtrinë ruse, pas shpërbërjes së ish-Bashkimit Sovjetik. Prej 2014-ës, Rusia ka stacionuar mbi 90 mijë ushtarë në kufirin mes dy vendeve, që kur aneksoi ishullin e Krimesë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje