Duke mbajtur foto cover Kuvendin e 18 dhjetorit të thirrur nga Lulzim Basha me sloganin “Zgjedhim të Ardhmen” në faqen e saj Facebook, deputetja e PD-së Jorida Tabaku komentoi punimet e kongresit të PS-së mbajtur të shtunën.
“Në mes të një krize tejet të rëndë për xhepat e qytetarëve, Rama dhe mazhoranca u angazhuan në një kongres që ofroi spektaklin e propagandës për qytetarët!
Mbi 42% e të ardhurave mesatare të një familje në Shqipëri shkojnë për të blerë produktet ushqimore bazë që është rritur.
Vetëm buka është rritur me 16% në raport me një vit më parë, vezët janë shtrenjtuar me 10%, gjalpi është shtrenjtuar minimalisht me 20% njësoj si çdo nënprodukt tjetër i qumështit.
Në një krizë të tillë ku inflacioni shkoi në 5.7%, aq sa çfarë kishte paralajmëruar edhe opozita javë më parë, qeveria vazhdon të kënaqet me thërrimet e ndihmës që ka dhënë për shqiptarët. ndërkohë që vendet në zhvillim kanë nisur një plan masash për të lehtësuar politikat tatimore dhe jo vetëm, qeveria vazhdon të mbushë televizionet me propagandë njësoj si në Venezuelë”, shkruan ajo.
Rritja e çmimeve për ushqimet dhe pijet jo alkoolike, sipas saj, është 9.3% nga viti në vit.
“Ndërkohë që rrogat dhe pensionet janë po në vend numëro. Duket se strategjia e qeverisë për të ndihmuar qytetarët është ajo e mbushjes së portofolave të tyre me gënjeshtra dhe alibi justifikuese.
E gjithë kjo situatë do rëndohet edhe më shumë në xhepat e secilit qytetar. Shumë shpejt do të paguajmë më shtrenjtë borxhin publik që qeveria ka marrë për luksin dhe për PPP-të nga rroga e qytetarëve.
Papunësia do të rritet ndërsa vendi do të bie në një stagflacion që është përherë edhe më evident për këdo.
Po jetojmë në kohë të një krize të thellë ekonomike dhe inflacioniste që do të fshijë të ardhurat e pakta edhe kursimet e pakta që janë mbledhur.
Qeveria vazhdon të bëj sehir dhe të shesë propagandë nga sallat luksoze duke u krenuar për suksese imagjinare ndërsa shqiptari varfërohet.
Paguajmë ende sot 90 mijë euro në ditë koncesionin e inceneratorëve ndërsa 1/3 e popullsisë jeton me më pak se 5 USD në ditë!”, shkruan ajo
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje