Mesazhi i ish-Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo në konferencën me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA ishte i shkurtër dhe i thjeshtë.
“Unë kam punuar edhe në opozitë edhe në mazhorancë. Nuk ka rëndësi se në cilin krah jeni. Me rëndësi është vullneti i të gjitha palëve për të luftuar korrupsionin për të mbrojtur demokracinë dhe lirinë e popujeve tanë dhe të popujve të rajonit”, tha Pompeo.
Në këtë konferencë merrnin pjesë Ambasadorja Yuri Kim, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe krerët e grupeve parlamentare, mes të cilëve edhe Enkelejd Alibeaj.
Ambasadorja Kim e nisi mesazhin e vet me falenderimin e Sekretarit Pompeo dhe të Presidentit Trump që i besuan detyrën e Ambasadores në Shqipëri, si për të përforcuar përgjigjen ndaj akuzave të Sali Berishës se në Shqipëri nuk përfaqëson asnjë interes tjetër veç atij të SHBA.
“Sekretari Pompeo, tani Dr. Pompeo ishte njeriu që më emëroi te Presidenti për këtë post dhe ndjehem shumë e nderuar që Presidenti Trump më ka emëruar si Ambasadore para dy viteve. Për ne, gjatë këtyre vite ka një lidhje të pathyeshme mes marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, pavarësisht se kush ulet në Shtëpinë e Bardhë, apo këtu. Lidhja vazhdon dhe është e pathyeshme”, tha Kim.
Kreu i grupit parlamentar socialist, Taualant Balla falenderoi SHBA për mbështetjen e dhënë në këtë shekull të parë të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe foli me bindje se kjo marrëdhënie është e pathyeshme.
“Falë mbështetjes së SHBA, Shqipëria është sot në NATO dhe Kosova është e pavarur. Bashkëpunimi me SHBA është sot në nivelin më të shkëlqyer në dobi të zhvillimeve demokratike, shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit. Kemi rritje të investime direkte amerikane veçanërisht në energji, siç ishte sot nisja e një procesi dhe rritje e madhe në bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve me nënshkrimin e memorandumit mes Albgaz dhe Overgas”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje