Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mbylli në afatet e limit paktin me aleatët, para se të shpallte listën përfundimtare të kandidatëve për deputet.
Ata ishin kthyer në dhimbje koke jo vetëm për të, por edhe për strukturat zyrtare partiake nisur nga eksperienca e mëparshme ku bashkëpunimi mes PD-së dhe partive të vogla në bazë ishte thuajse zero.
Aleatët kërkuan pozicione të sigurta tek Lulzim Basha (konkretisht kryetarët) me argumentin se ata e meritojnë për shkak të peshës elektorale që mbajnë. Jo pa qëllim secili prej tyre i dorëzoi Bashës në tavolinë rezultatin që ata morën në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës dhe jo ato në 2017, pasi zgjedhjet e fundit ata u futën automatikisht në listën e PD-së duke mos bërë fushatë për partinë që drejtonin.
Kështu Fatmir Mediu i shkoi Bashës me 52.128 vota që PR kishte fituar në 2013-ën. Mediu kërkoi së paku dy mandate të sigurta, por Basha pranoi vetëm për atë si kryetar.
Mediu bëri fushatë për të votuar subjektin politik “PD-AN”, duke kërkuar votat e PR për atë si kandidat në fletën e votimit.
Rezultati doli. Në Tiranë, Fatmir Mediu mori vetëm 6565 vota.
Gazeta “Si” sjellë një krahasim edhe për aleatët e tjerë, referuar votës nominale që morën dhe rezultatit si subjekt politik në 2013-ën, meqënëse ata këmbëngulën fort për tu bazuar atyre zgjedhjeve.
Përjashtim bën PDIU që zgjedhjet e kaluara garoi jashtë PD-së dhe mori 76.069 vota një rezultat shumë më i mire se në 2013-ën me 44.957.
Këto zgjedhje, vota për dy emrat nga PDIU vlen për diskutim. Shpëtim Idrizi ka marrë vetëm 7449 vota ndërsa Mesila Doda edhe ajo në një pozicion të sigurt në listën e PD-së shumë më pak, 2357 vota.
Më zhgënjyesi në rezultat ka qenë Vangjel Dule i renditur edhe ai në një vend të sigurt në Tiranë.
Vangjel Dule mund të thuhet se nuk ka bërë as fare fushatë, ose aq e ka mbështetjen.
Ai është deputeti i vetëm në Kuvendin e ardhshëm që ka mbështetjen më të vogël në vota, vetëm 848.
PBDNJ në zgjedhjet e 2013-ës ka marrë 14.722 vota.
Deputeti aleat që nuk ka ndryshuar asnjë votë nga 2013, çka tregon se ai ka një mbështetje solide tek një shtresë e caktuar kryesisht tiranase është Dashamir Shehi.
LZHK në zgjedhjet e 2013-ës ka fituar 5429. Votat e tij për të janë sërish të njëjta.
Dashamir Shehi ka fituar mos a mot të njëjtën mbështetje me tre vota më pak (nga 2013), 5426
Edhe PAA e Agron Dukës rezulton me rritje. Në zgjedhjet e 2013-s, PAA ka marrë 2640 vota.
Këto zgjedhje, Agron Dukla ka fituar më shumë, 4731 vota. Duka ishte pozicionuar në vend të sigurt në listën e PD-së së Durrësit.
Ulje drastike ka për PDK-në e drejtuar nga Nard Ndoka.
Në zgjedhjet e 2013-ës, PDK fitoi 15.522 vota. Nard Ndoka kësaj here në Shkodër ka marrë vetëm 228 vota.
Nard Ndoka ishte i renditur i teti në listën e Shkodrës për PD, një vend jo i sigurt për t’u futur automatikisht çka ka reflektuar edhe në pasivitetin e tij për të bërë fushatë, qoftë edhe për partinë e tij, duke nxjerrë në pah edhe një fenomen tjetër se si e ardhmja e një partie varet vetëm nga fati i karriges se kryetarit, do të jetë apo jo në Kuvend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje