Nuk ka qënë një mbasdite e mbarë pune kjo e mërkurë për GJKKO-në kur mori në shqyrtim masën e sigurisë ngarkuar Sali Berishës për detyrim paraqitje, pasi akuzohet për veprën penale të korrupsionit pasiv në bashkëpunim me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.
Fillimisht pas debatit mbi një orë, ishin dy avokatët e mandatuar nga Berisha që braktisën seancën dhe vetë gjyqin, pasi gjykata nuk pranoi kërkesën e tyre për të zëvendësuar gjykatësen e cështjes dhe kërkesën tjetër për ta cuar për interpretim vendimin në Kushtetuese sa kohë që Berisha pretendon se është shkelur duke mos kërkuar fillimisht autorizimin nga Kuvendi për kufizimin e lirisë së tij.
Me largimin e avokatëve të Berishës, GJKKO doli me një njoftim të gjatë zyrtar ku lajmëronte ndër të tjera se në mungesë të tyre, në bazë të ligjit, trupa gjykuese kishte caktuar një avokat kryesisht apo thënë ndryshe të paguar nga shteti për të mbrojtur Sali Berishën. GJKKO njoftoi edhe emrin e tij, Artan Simoni. Shkëlzen Berisha më pas risolli në Facebook një koment shkëputur nga faqja e avokat Simonit, përmbajtja e së cilës, sipas tij, i referohej Sali Berishës.
“Bisha është plakur, bisha është lodhur, bisha s’mundet më. Shumë prej atyre që dikur bisha mbante mbi kurriz, pas kurrizit kanë filluar t’a çukasin. Ku gaboi bisha?!”, thuhej në një postim që i atribuohet faqes së Artan Simonit. Lajmi mori dhënë në media duke sjellë reagimin e vetë organit të akuzës për të kërkuar ndryshimin e avokatit.
“Me kërkesë të Prokurorisë, me qëllim garantimin e mbrojtjes efektive, Gjykata zëvendësoi av Artan Simoni me avokat tjetër nga lista e avokatëve kryesisht dhe i la kohë të njihet me aktet. Seanca do të zhvillohet në daten 26.10.2023 ora 10am”, thuhet në njoftimin e shkurtër të GJKKO, por pa përmendur se kush do të jetë avokati i ri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje