Dega e PD-së, Korçë nuk është e vetmja strukturë që po pëson “hemorragji” largimesh.
Kandidatja për kryetarin e PD-së, që nuk arriti të futej në listën e Këshillit Kombëtar, Edit Harxhi tha se njëjti fenomen largimesh po ndodh edhe në degë të tjera të PD-së nëpër rrethe.
“Dorëheqja e 14 anëtarëve të PD-së në Korçë me në krye Sekretarin e Degës Devi Osmani dhe ish Kryetarin e PD-së në Korçë Andrea Mano, janë sinjali i fundit i alarmit për situatën në të cilën ndodhet sot PD-ja. Pakënaqësia dhe dorëheqja masive e disa prej anëtarëve të kryesisë së degës Korçë, disa prej të cilëve qëndrestarë që prej vitit 1991, tregon edhe një herë se PD-ja është kapur në çdo segment të saj dhe se anëtarët e saj nuk munden më të bëhen pjesë e lojrave të kryetarit në detyrë Basha.
Të atij kryetari, i cili vetëm një vit më parë u kish premtuar demokratëve të Korçës se do të kandidonte në listat e deputetëve të Korçës vetëm të zgjedhurit e tyre dhe jo ata të përcjellë me urdhër politik nga Tirana. Ndodhi e kundërta dhe nuk është çudi, sepse Kryetari në detyrë kudo premton, por ka problem me mbajtjen e premtimit. Ҫfarë aksioni opozitar do të bëjë ky kryetar në detyrë në shtator për mbrojtjen e votës, kur nuk do ketë më mbështetjen e demokratëve më të përkushtuar?”, vëren ajo
Sipas saj, në Korçë PD-ja kishte në zgjedhjet e 25 prillit 3000 anëtarë aktivë.
“Ndërkohë në zgjedhjet për Kryetar Partie në 13 qershor, në listat e përgatitura nga Tirana ishin vetëm 2000 anëtarë, nga të cilët votuan vetëm 630 anëtarë. Pjesa tjetër nuk u la të votojë, sepse gjoja nuk kishin dokument identifikimi si anëtarë të PD-së. Rasti i degës së Korçës, një nga më të vjetrat dhe më të mëdhatë të Shqipërisë është flagrant, por jo i vetëm. Përgëzoj demokratët e Korçës për vendimin e tyre të përgjegjshëm. Ka qenë dhe mbetet bindja ime dhe e kam shprehur publikisht se ndryshimi do të vijë nga Korça. Situata paraqitet po aq dramatike me dorëheqje edhe në degë të tjera si Durrësi, Fieri, Shkodra, Saranda dhe të tjera…”, thotë Harxhi.
Ajo nuk lë jashtë vëmendjes së saj edhe Tiranën.
“Ky është rast i veçantë, sepse që prej vitit 2014 kryetari në detyrë Basha e ka shuar degën më të madhe të gjithë Shqipërisë, Tiranën. Tirana nuk ka degë të veçantë, dhe afërsisht 900 mijë banorë dhe afërsisht 200 mijë demokratë i komandon ‘lideri suprem’ i opozitës nga selia qendrore e kapur prej tij”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje