Komisionieri Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë në BE, Oliver Varhelyi po viziton Tiranën, për të dorezuar progres-raportin e publikuar një ditë më parë, për vitin 2020 për Shqipërinë.
Fjalimin e parë komisioneri e mbajti në Parlament, e më pas axhenda e tij parashikon një takim me organet e vettingut dhe drejtuesit politik.
Gjatë fjalës së tij, Varhelyi u shpreh se Ballkani Perëndimor ka qenë dhe do jetë gjithmonë prioritet i BE për të mundësuar integrimin e plotë të rajonit.
Ai tha gjithashtu se është kapërcyer ngerçi që kishte në Këshillin e Ministrave të BE-së për hapjen e negociatave të Shqipërisë.
“Dëshiroj të përçoj një mesazh të qartë që ne do t’ju qëndrojmë pranë, ne jemi me ju dhe po punojmë fort që ju të bëheni shtete plotësisht të integruar në jetën tonë në BE…
Kemi kaluar ngërçin që kishim në Këshill për çeljen negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe për këto dy vende është hapur rruga dhe në Këshill vijojnë ende diskutimet për të mbledhur konferencën e parë ndërqeveritare.
Sa i përket konvergjencës ekonomike, pandemia e bën edhe më sfiduese. Përpjekjet tona janë përqëndruar në rimëkëmbjen ekonomike dhe për të ndihmuar në rigjenerimin social-ekonomik të rajonit.
Ne duam ta mbyllim sa më shpejt hendekun ekonomik mes rajonit dhe BE. Sa më shpejt ta mbyllim këtë hendek aq më shumë kemi bashkëpunim të fortë dhe aq më shpejt do integroheni. Ky plan i investimeve ekonomike do të shërbejë për rimëkëmbjen afatgjatë për të vijuar me rritjen ekonomike, zbatimin e reformave për të ecur drejt BE për të sjell rajonin më afër tregut të BE. Ne synojmë të mobilizojmë 9 miliardë euro me anë e granteve
Ballkani Perëndimor ka qenë përparësi për ne, dhe kemi qenë të angazhuar për të mbajtur premtimet për Ballkanin. Jemi të bindur që në fakt e gjithë e ardhmja e rajonit është në BE”, tha komisioneri per Zgjerimin.
Ai nënvizoi se Shqipëria ka bërë shumë punë përpara dhe se ajo është më afër së kurrë BE-së. “Shqipëria ka ndjekur me vendosmëri reformat dhe vendi ka bërë përparim dhe është shumë pranë përmbushjesh së kushteve për të hapur konferencën e parë ndërqeveritare. Vlerësojmë punën e bërë deri tani me reformat. Zbatimi i ligjit dhe Reforma në drejtësi ka bërë një rrugëtim të mirë, sidomos me procesin e vettingut ku përparimi ka qenë i qëndrueshëm dhe vlerësojmë punën e madhe e bërë deri më tani. Janë hapur edhe dy procese ku Gjykata e Lartë ka fituar kuorumin dhe është funksionale. Edhe zbatimi i ligjit dhe lufta kundër krimit ka bërë përparësi, ku drejtësia e re ka filluar zbatimin ku e kemi parë në operacionet e mëdha edhe ndërkombëtare. Inkurajoj të gjitha palët të mbajnë fokusin në këto reforma të domosdoshme përfshirë edhe 5 qershorin. Kam mirëpritur marrëveshjen e 5 qershorit, zbaton rekomandimet e OSBE/ODIHR-it”.
Por kyç vijon të mbetet ende reforma zgjedhore.
“Që të jemi qartë Reforma zgjedhore është kusht për konferencën e parë. Shqipëria duhet të ruajë ritmin e këtyre përpjekjeve dhe të vijojë me reformat në ato fusha që janë identifikuar qartë.
Vijimësia e këtyre reformave duhet të jetë shumë e rëndësishme. Të gjitha institucionet duhet të punojnë që Shqipëria të ece para drejt BE. Shqipëria ka kaluar një periudhë të vështirë tërmeti i tmerrshëm dhe kriza e COVID. Ju kemi qëndruar pranë dhe do vazhdojmë t’ju qëndrojmë pranë jush.
Ne jemi tashmë në atë moment kyç ku Shqipëria gjendet më pranë se kurrë para BE-së. Kontributi juaj, i të gjitha forcave dhe segmenteve të shoqërisë është kyç dhe me vendosmëri për të ardhmen. Le ta marrim atë hap tjetër për të ardhmen e Shqipërisë”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje