Politike

LSI distancohet nga Basha, Kryemadhi: Gabuam me bojkotin e djegien e mandateve, 3 deputetë na u vodhën me tradhti

E rrethuar nga të rinj, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi mbajti deklaratën e parë pas zgjedhjeve, ku ndryshe nga Lulzim Basha, ajo pranoi humbjen duke i uruar fitore “bandave” dhe “oligarkëve”.

Në një deklaratë 30 minutashe pa ndërhyrjen e medias, Monika Kryemadhi (e veshur enkas me jeshile që simbolizon shpresën) përcaktoi qartë rrugën që do të ndjekë LSI.

Ajo do të jetë në opozitë dhe vetëm.

Sepse për herë të parë, Kryemadhi përcaktoi qartazi disa qëndrime distancimi nga Lulzim Basha.

Së pari; ajo kërkoi falje për braktisjen e Kuvendit dhe mos pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale, dy vendime që kanë vulën e Lulzim Bashës. Kjo, sipas saj, çoi në pushtet absolut për palën tjetër.

Së dyti; ajo shfaqi pakënaqësi për tre mandate të “vjedhura” për të cilat ajo thotë se ishin ‘tradhtia më e madhe” konkretisht në Berat Durrës dhe Korcë duke i bërë thirrje komisionerëve të LSI-së të numërojnë çdo votë përballë komisionerëve të PS por edhe PD.

Kryemadhi tha gjithashtu se nga 81 mijë vota të pavlefshme, 70% ishin të LSI.

Deklarata

“Dua të uroj fitoren e oligarkëve dhe bandave, janë fituesi e vërtetë të zgjedhjeve, të parët që duhen uruar. Së dyti uroj Presidentin Vuçiç për sondazhet e sakta për zgjedhjet në Shqipëri. Sot u mbyllën rezultatet të zgjedhjeve për mandatet, dua të falënderoj 107 mijë votuesit e LSI, dua të falënderoj 81mijë votuesit, ku 70% e tyre janë të LSI” tha Kryemadhi.

Kryemadhi ia faturoi humbjen një strategjie të gabuar të LSI, duke nisur nga djegia e mandateve e deri tek mospjesëmarrja në zgjedhjet lokale të 2019-ës. Ajo tha se shqetësimi i Presidentit Ilir Meta ishte i drejtë, e kjo sipas saj, u ilustrua dhe në rezultatin e zgjedhjeve.

“Zbatuam një strategji që pati pasoja në këtë rezultat dhe që nuk reflektoi vullnetin e qytetarëve për ndryshim. Patëm strategji të gabuar, duke nisur nga djegia e mandateve, mosmarrja pjesë në zgjedhjet lokale duke ia dhënë në dorë të gjithë pushtetin Ramës dhe bandave.

Kjo gjë dhe koha e rezultati tregoi që shqetësimi i Presidentit ishte i drejtë. Dua që në emër të LSI dhe timin personal t’i kërkoj falje për këtë fakt, veprim dhe qëndrim që nuk solli gjë tjetër vetëm 70% të ndryshimit, por solli rrëmbimin dhe fitoren e zgjedhjeve nga bandat kriminale dhe oligarkët”, tha Kryemadhi.

Kryemadhi përcaktoi strategjinë e LSI

“Ne do ta vazhdojmë betejën tonë edhe më tutje. LSI nuk do të jetë vetëm në parlament do të jetë në sheh se në çdo qytet dhe në çdo shtëpi të qytetarëve shqiptar. Do të vazhdoj denoncimet e saj për çdo krim zgjedhor…

LSI do vazhdojë që sot në mënyrë të pashtershme për ta çuar deri në fund betejën e procesit zgjedhor. U bëj thirrje gjithë numëruesve të jenë vigjilent se në Durrës ku Rama i merr mandatin Elona Gurit me 139 vota, deri tani kanë dalë mbi 15 fletë të pavlefshme të numëruara për PS, në Berat, Korçë, Durrës, kudo numëruesit tanë të numërojnë çdo votë të LSI , për kandidatët e PS për kandidatët e PD se tradhtia më e madhe vjen në tre mandatet e Beratit, Korçës dhe Durrësit, mandate të cilat i janë grabitur LSI.

Ne jemi si Feniksi nga hiri ynë ne do të ringrihemi dhe do ta çojmë më tej betejën tonë. Beteja jonë nuk është një betejë për një karrige kryeministri por për ju të rinjtë që mos të ikni nga vendi”, tha Kryemadhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë