Politike

Lufta për pastërtinë e kandidatëve, si beteja për dekriminalizimin po i kthehet opozitës në bumerang  

Gazeta Si – Në vitin e 2015 në kulmin e debatit politik, me propozim të Partisë Demokratike dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve, Kuvendi miratoi ligjin për dekriminalizimin që në thelb opozita e shfrytëzoi si “armë” politike kundër PS-së.

Si pasojë e zbatimit të këtij ligji, u larguan rreth 500 zyrtarë të rangut të mesëm dhe të lartë publik, mbi 200 këshilltarë dhe së fundmi edhe kryetarë bashkish që përfaqësonin PS si Qerim Ismailaj, Valdrin Pjetri, apo Agim Kajmaku.

Por në fushatën për zgjedhjet e pjesshme lokale në vetëm 6 bashki, beteja për dekriminalizimin është kthyer nga e ngjashmja, ku opozita nuk po merret me kundërshtarin, por po i nxjerr të palarat vetes, bazuar nga ajo që ka propaganduar  po vetë.

Fillimisht ishte pala e Sali Berishës që këto zgjedhje kandidon në emër të koalicionit “Shtëpia e Lirisë” që bëri pis, apo më saktë publikoi dokumentin e dekriminalizimit të kandidatit të Bashës në Rrogozhinë Ferdinand Saraçi.

Kandidati i PD per Rrogozhinen

Saraçi është dënuar në 16 Mars 1999 për veprën penale “armëmbajtje pa leje”, në Itali. Ai gjithashtu ka ndryshuar emrin nga Fredi në Ferdinand.

Po pse Basha zgjodhi një kandidat të dënuar më parë?

I pyetur nga media për dënimin e tij, Basha është përgjigjur shkurt se vetë ai nuk kishte asnjë informacion.

Në anën tjetër, Partia Demokratike i ka kthyer reston Berishës duke përmendur emrin e Bardh Spahiut njeriut që deri para dy vitesh  mbante koston e vendimeve të Lulzim Bashës, por që sot garon në emër të koalicionit “Shtëpia e Lirisë”.

Bardh Spahia ka deklaruar në dokumentin e dekriminalizimit, se është proceduar në korrik të vitit 2020 nga Prokuroria e Shkodrës, për veprën penale të mosbindjes ndaj urdhrit të policisë si dhe për shkatërrim prone me zjarr, akuza në fakt që Spahisë iu mveshën kur protestonte krah Lulzim Bashës.

Bardh Spahia ne kohen kur mbrohej ne gjykate

Dy vjet me parë, ndaj Bardh Spahisë u mor masa ‘arrest shtëpie’ dhe më pas ‘detyrim paraqitje’, të cilat më pas u revokuan.

Për të kaluar tek kandidati i Lulzim Bashës për Bashkinë e Vorës, Imer Marku, ku media pranë Berishës kanë cituar se ai është marrë i pandehur në vitin 2010 për veprën penale të deklarimit të rremë të pasurisë, por që është shpallur i pafajshëm nga gjykata. Vetë Marku është deklaruar i pastër në formularin e dekriminalizimit.

Marku ka qenë kryetar i Komunës Berxullë për periudhën 2003-2015, dhe më pas nënkryetar i Bashkisë Vorë.

Imer Marku, kandidati i Lulzim Bashes per Voren

Së fundmi, radhën e mori PD-ja me kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë”, Elton Bano, djali i një prej funksionarëve ndër vite të PD-së, ish-deputetit, Ilir Bano.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, përmes një deklarate zyrtare publikoi të martën se kandidati i Berishës, Elton Bano  ka qenë i proceduar dhe i dënuar në Britaninë e Madhe për kryerjen e veprës penale të vjedhjes, në periudhën 1998-2000.

PD thekson se këto të dhëna janë fshehur qëllimisht në deklarimin e kandidatit, një fakt që sjell përjashtimin e menjëhershëm të tij.

“Fshehja e këtyre të dhënave ka qenë me qëllim për të penguar institucionet të kryejnë verifikimin” thuhet në kërkesën e PD për verifikimin e Elton Banos.

Elton Bano, kandidati i ‘Shtepise se Lirise” per Lushnjen

Që do të thotë se nga opozita vetëm në 6 bashki ku do të bëhen zgjedhje katër prej tyre rezultojnë me “cene” në dokumente ose t’i kenë fshehur. Kjo është shumë për një parti apo një force politike që trumbeton çdo dite luftën ndaj korrupsionit duke e drejtuar gishtin drejt kundërshtarit pa ia drejtuar vetes më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë