Politike

Majko pranon mandatin, rikthehet në Kuvend për herë të shtatë

Pandeli Majko do të rikthehet në Kuvend për të zëvendësuar Alqi Bllakon e arrestuar për aferën e inceneratorëve.

Ish-Kryeministër dhe ish-ministër i socialistëve, Majko ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve formularin e dekriminalizimit.

Majko renditej i 19-i në listën e Partisë Socialiste për zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa PS mori 18 mandate. Vota personale Majko mblodhi rreth 8 mijë të tilla, pa mundur që të thyejë herësin, i përcaktuar në nivelin e 10 mijë votave.

Karriera politike e Pandeli Majkos nis në PS si kryetar FRESSH në vitet 1992-1995. Ka mbajtur dy herë postin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, po ashtu dhe postin e Ministrit të Mbrojtjes e ka mbajtur dy herë në qeveritë socialiste.

Kulmin në politikë e ka në vitet 1998-1999 ku do të merrte postin e Kryeministrit në Qeverinë e Shqipërisë. Po këtë post, atë të kryeministrit, e ka mbajtur për 8 muaj edhe në vitin 2002. Ka qenë anëtar i Komisionit Parlamentar për hartimin e Kushtetutës shqiptare në vitet 1997-1998.

Majko është zgjedhur deputet i Partisë Socialiste në gjashtë legjislatura dhe ky është mandati i 7-të i tij si deputet. Ai ka qenë Kryetar i Delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, si dhe anëtar i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë