Politike

Tre senatorët e PS ‘i bëhen peshqesh’ Edi Ramës në Kuvend

Listat e përmbysura të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 prillit ishin një risi e konceptuar nga Edi Rama për të maksimizuar fushatën e atyre që njiheshin si figura me peshë brenda partisë. Vetë kryesocialisti dhe me radhë të gjitha figurat qendrore të partisë u vunë në të gjitha qarqet në pozicionet limit të objektivit të këtyre zgjedhjeve.

Si shembull, Rama e vendosi veten të tetin në Durrës dhe Vlorë dhe në të dyja këto qarqe, socialistët siguruan nga tetë mandate. Objektivat e vendosura nga Rama ishin të pandryshuar në krahasim me zgjedhjet e 2017-s.

Në këto zgjedhje, në Tiranë PS mori 18 mandate dhe me këtë objektiv nisi edhe fushata për kryeqytetin. Lista këtu u mbyll me emrin e Eduard Shalsit, duke lënë jashtë saj emra si Fatmir Xhafaj, Mimi Kodheli dhe Pandeli Majko, tre figura me kontribute brenda partisë.

Majko renditej në vendin e 19, Mimi Kodheli në vendin e 21 të listës dhe Fatmir Xhafaj në vendin e 23-të. Xhafaj ishte i vetmi nga tre emrat e mësipërm që arriti të thyejë herësin, duke siguruar rreth 16 mijë vota dhe mandatin e radhës në Kuvend.

Kodheli e Majko ngelën jashtë. Pas Xhafajt do të ishte radha e Mimi Kodhelit që të rikthehej si ligjvënëse në parlament. Najada Çomo, që para zgjedhjeve u shndërrua në një prej figurave kryesore të fushatës së socialistëve për shkak të rolit që pati në pandemi refuzoi marrjen e mandatit për të vijuar detyrën në profesionin e vet. Pak javë pas refuzoi mandatin e deputetes, ajo për të drejtuar infektivin e QSUT-së.

Vendin e lënë bosh prej Çomos në parlament e zuri Mimi Kodheli, që nuk përfitoi për shkak të numrit më të madh të votave, por prej parashikimit të kodit zgjedhor se në rastet kur dorëheqja është nga gjinia më pak e përfaqësuar në Kuvend, zëvendësimi duhet të ndodhë nga e njëjta gjini.

Ky rregull ‘e dogji’ Pandeli Majkon me rreth 8 mijë vota personale të grumbulluara. Megjithatë, afera e inceneratorëve dhe arrestimi i Alqi Bllakos (që në listën e kandidatëve ishte në vendin e 17) e riktheu në Kuvend edhe Pandeli Majko.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë