Gazeta Si – Pak para mbledhjes së përbashkët që do të mbahet këtë të hënë mes qeverisë shqiptare dhe asaj malazeze, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, thotë se nisma është një mesazh paqeje për gjithë Ballkanin Perëndimor.
Në një mesazh në rrjetet sociale, ai theksoi se çdo gjë është gati për mbajtjen e mbledhjes të cilën e konsideroi me një rëndësi rajonale ku do të nënshkruhen 11 marrëveshje.
“Po zhvillojmë një politikë të fqinjësisë së mirë dhe po dërgojmë mesazh paqeje dhe bashkëpunimi për të gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Abazoviç.
11 marrëveshje mes dy qeverive do të nënshkruhen në mbledhjen e sotme. Mbi 80 përfaqësues të mediave do të jenë të akredituar në këtë mbledhje.
Aktiviteti do të nisë me ceremoninë e mirëseardhjes dhe prezantimin e dy delegacioneve në orën 10:30, për t’u pasuar nga nënshkrimi i 10 marrëveshjeve dhe memorandumeve midis dy kabineteve qeveritare.
Një ndër marrëveshjet e rëndësishme është ajo për hapjen e pikës së përbashkët kufitare Shën Nikollë-Pulaj, në territorin e Shqipërisë, si dhe marrëveshja në fushat e mirëmbajtjes dhe menaxhimit të përbashkët të peshkimit në Liqenin e Shkodrës dhe Lumin e Bunës.
Pjesë e diskutimit mes palëve, por edhe gjatë konferencës së përbashkët për shtyp do të jetë edhe kjo çështje, ku dy palët do të paraqesin projekte konkrete për ta kthyer lumin Buna në një atraksion turistik dhe hapësirë lundruese për jahtet dhe anijet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje