Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, zbardhi takimin me Ambasadoren e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, të zhvilluar në selinë e tij.
Ndryshe nga takimi me Gjiknurin dhe Alibeajn, Meta mësohet të ketë qenë shumë kritik me situatën politike në vend,
“Nënvizova në mënyrë të veçantë situatën shumë të rëndë të krijuar në Kuvendin e Shqipërisë, për shkak të bllokimit antikushtetues dhe të paligjshëm nga ana e Qeverisë.
Bllokimi i Komisioneve Hetimore, interpelancave dhe një serie projektligjesh të propozuara nga Partia e Lirisë, por edhe nga partitë e tjera të opozitës, do të thotë rrëmbimi “de facto” i Kuvendit nga Qeveria, duke synuar asgjësimin e kontrollit mbi qeverisjen, si dhe bllokim i adresimit në Kuvend të shqetësimeve shumë të mëdha të qytetarëve në lidhje me qeverisjen, e veçanërisht me korrupsionin.
Theksova gjithashtu shqetësimet e shumta, të ngritura edhe nga organizata jofitimprurëse, mbi përdorimin skandaloz të administratës shtetërore, financimeve të buxhetit të shtetit, por dhe veprimtari të tjera klienteliste, në funksion të manipulimit dhe shitblerjes së votës, që lidhet drejtpërdrejt me zgjedhjet e 14 Majit.
Përshëndeta në mënyrë të veçantë angazhimin e fokusuar të DEA-s në Shqipëri, lidhur me veprimtarinë e narkotrafikut dhe problemet kritike që lidhen me të, si një hap i duhur dhe i shumëpritur.
Gjithashtu vura në dukje se korrupsioni galopant dhe endemik vetëm se po thellohet dhe nuk ka asnjë përmirësim apo ndryshim të situatës, se ka një rëndim të mëtejshëm të gjendjes lidhur me pastrimin e parave, narkotrafiqeve dhe veprimtarisë kriminale në vend, që ka sjellë një rëndim të situatës së rendit publik dhe të qetësisë së qytetarëve”, shkruan Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje