Politike

Zgjedhjet lokale, Yuri Kim takim me Gjiknurin në selinë e PS. Alibeajn e takon tek kryesia, më pas edhe Metën

Ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë Yuri Kim ishte të mërkurën në selinë e PS.

Ambasadorja Kim zhvilloi një takim me sekretarin e përgjithshëm të PS Damian Gjiknuri.

Ambasadorja e SHBA mbërriti rreth orës 10:40 në selinë rozë.

“Zgjedhjet e ardhshme vendore të 14 Majit, situata aktuale politike në vend dhe rekomandimet e ODIHR-it pas procesit të fundit elektoral ishin në qendër të diskutimit. E garantova ambasadoren për vendosmërinë e Partisë Socialiste për të kontribuar aktivisht për një proces zgjedhor në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare. Si gjithnjë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten në krah të Shqipërisë në përpjekjen për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme”, komentoi Gjiknuri pas takimit.

Takimi mes tyre mbahet në një moment delikat për politikën në vend.

Brenda dy ditësh Ilirjan Celibashi duhet të vendosë për siglën e PD-së në zgjedhje, Enkelejd Alibeaj ka marrë zyra të reja me qira si kryetar i komanduar ndërsa nuk shihet asnjë mundësi bashkëpunimi mes palëve brenda PD-së.

Në anën tjetër nuk është bërë asnjë lëvizje apo veprim konkret për përmirësimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e ardhshme lokale. Gjithçka ka ngecur tek konflikti politik.

Pas Gjiknurit, Kim takoi Enkelejd Alibeajn në Kryesinë e Kuvendit dhe Ilir Metën në selinë e Partisë së Lirisë.

“Diskutuam për rekomandimet e ODIHR, shqetësimet mbi përdorimin e administratës dhe pastërtinë e kandidatëve. Shqetësime këto të ngritura dhe më parë nga opozita dhe që kanë shoqëruar problematikën e proceseve të fundit zgjedhore në Shqipëri.
Në emër të PD garantova ambasadoren e SHBA për vullnetin e mirë tonin për t’u përfaqësuar denjësisht në këto zgjedhje duke zbatuar rekomandimet e ODIHR, duke ndarë me të shqetesime të ndryshme përfshirë dhe rolin e medias, para dhe gjatë fushatës elektorale. Në fund të bisedës e falenderova për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugëtimin e gjatë dhe të vështirë të zhvillimeve demokratike” komentoi Alibeaj ne Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë