Presidenti Ilir Meta doli para mediave thuajse 24 orë nga protesta e thirrur në bulevard në mbrojtje të Kushtetutës ndaj atij që ai e quan grusht i shtetit. Në këtë dalje para gazetarëve, Presidenti u përqëndrua tek ftesa për sipërmarrjen se përse duhej ta mbështesnin aksionin e ndërmarrë prej tij.
Për të argumentuar këtë, Meta u kthye më shumë se një vit më parë në kohë, kur në fund të 2018-ës Parlamenti miratoi ndryshimet në ligjin për tatimin mbi fitimin, ku ndër të tjera parashikohej edhe ulja e dividentit nga 15 për qind në 8 për qind. Vendimi kishte efekt prapaveprues. Pikërisht ky parashikim, sipas Metës është antikushtetues.
LEXO EDHE:
Qeveria fal të pasurit që nuk paguajnë, një pjesë ndodhen në parlament
“Kushtetuta thotë se çdo lehtësim fiskal nuk mund të ketë efekt prapaveprues, pra për të kaluarën në kohë, vetëm me efekt për të ardhmen. Sekti i rilindjes në krye të Parlamentit miratoi më 3 dhjetor 2018 ligjin tatimin mbi të ardhurat e ndryshuara në dëm të sipërmarrësve të ndershëm dhe familjarëve, në poshtërim për të ndershmit, ku përmes një dispozite të fshehtë norma e tatimit mbi dividentin do të parashikohej 8 për qind edhe për ato të prapambetura. Në këtë nen, mavri-Kuvendi vendosi që tatimi mbi dividentin u bë nga 15 për qind në 8 për qind me efekt prapaveprues në Kundërshtim me Kushtetutën. Parashikimi i Kushtetutës ndalon efektin prapaveprues të lehtësirave fiskale”, tha Meta.
Ligji u kthye për rishqyrtim nga Presidenti, por Kuvendi e kaloi sërish. Edhe këtu, Meta thotë se dekreti u shqyrtua në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit dhe larg syrit të medias, Presidencës dhe opozitës, që në atë periudhë ndodhej në Parlament.
“Prandaj, pres nesër të gjithë përfaqësuesit e bizneseve të ndershme për të cilët është bërë e padurueshme kjo sjellje e sektit të rilindjes. Këtu 10 veta tallen me 3 mln shqiptarë dhe bëjnë moral në emër të reformës në drejtësi”, tha Meta.
Presidenti komentoi edhe ndërhyrjen e Kryeministrit Edi Rama në debatin mes Ramush Haradinajt dhe Albin Kurtit për çështjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe në Kosovë.
“Misioni i gruas së Bilalit (Edi Rama) është një misiom thellësisht përçarës jo vetëm brenda vendit. Një nga objektivat kryesore të tij në interes të organizatës ndërkombëtare që përfaqëson është edhe përçarja e shqiptarëve në rajon e kudo që ndodhen”, tha ai.
Meta pati një paralajmërim për Ramën.
“Gruaja e Bilalit e ka kaluar me kohë kufirin dhe vijën e kuqe. E ka tepruar shumë, po e provokon më shumë se ç’duhet Ramush Haradinajn, sepse ishte po kjo gruaja e Bilalit që doli e para mbështeti taksën. Gruaja e bilalit vazhdoi gjithandej duke thënë se e ka bërë shumë mirë. Kur i thanë pastaj që ke një foto kundër ligjit, këtu gruaja e Bilalit nisi të flasë kundër taksës. Të mos e provokojë më Ramush Haradinajn për llogari të shefave të vet në Serbi e kudo tjetër, se mund ta marrë përgjigjen nga Shqipëria”, deklaroi Presidenta.
Meta përçoi tre porosi për protestën e ditës së nesërme.
“Për mua ka rëndësi që protesta të jetë paqësore, vetëm me flamuj kombëtare dhe me mimoza, sepse pranvera po vjen dhe me thirrje e duam Shqipërinë si gjithë Europa”, mbylli daljen e tij para mediave Presidenti Meta.
Diskursi politik presidencial kundër oligarkëve ka nisur pikërisht me rastin e miratimit në fund të 2018-ës nga ana e Parlamentit të ndryshimeve në ligjin për tatimin mbi fitimin. Megjithëse nuk ka përmendur asnjë emër oligaarku, ndoshta Meta e ka kuptuar se për të luftuar Ramën, duhet t’u shpallë luftë edhe bizneseve që sipas tij, qëndrojnë përreth kryeministrit.
Në 24 korrik 2019, Meta do të dorëzonte personalisht në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shpalljen antikushtetues të ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar. “Dua të theksoj rëndësinë e madhe që ka akti i im sot, që është në koherencë të plotë me përpjekjet e mia të vazhdueshme, të qëndrueshme dhe sistematike në raport me Kuvendin, me Qeverinë, me institucionet vendore të përfshira në këtë proces kriminal të kapjes më flagrante të shtetit, në dhunim të rendit kushtetues, të akteve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, dhe njëkohësisht në kundërshtim të plotë edhe me interesin publik e kombëtar. Ligji për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar është një simbol i kapjes së shtetit dhe të gjitha institucioneve, një kryevepër e një krimi kushtetues, kombëtar dhe kulturor, jo në interes të “rule of law / shtet i së drejtës”, por të “rule of oligarchs / sundimi i oligarkëve”, do të deklaronte atëherë Meta.
Gjithashtu nëntorin e kaluar, Meta me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Pandëshkueshmërisë së Dhunës ndaj Gazetarëve, deklaroi se oligarkët kontrollojnë tashmë të gjitha mediat në vend. Duke theksuar se liria e medias është përkeqësuar, Meta tha në një postim në rrjetet sociale se si pasojë e presioneve politike janë mbyllur emisione, ndërsa oligarkët kontrollojnë panelet e mbrëmjes dhe portalet i kanë ngritur në sistem lajmet e rreme. “Duke dënuar me forcë dhe ashpërsi çdo formë dhune ndaj reporterëve, theksoj se fjala e lirë dhe liria e medias janë një kusht i pazëvendësueshëm për respektimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike”, do të shkruante Meta në këtë postim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje