Kreu i Shtetit, Ilir Meta doli në mbrëmje në një konferencë shtypi, këtë herë në selinë e Presidencës, ku i ka bërë thirrje Policisë së Shtetit dhe funksionarëve të administratës publike që të distancohen “nga përpjekjet e politikës për të intimiduar qytetarët në vota”.
“Të gjithë qytetarët me të drejtë vote duhet t’u drejtohen qendrave të votimit. E ardhmja jonë nuk mundtë blihet me asnjë çmim. Ndaj këtë të ardhme ne duhet ta forcojmë duke marrë pjesë masivisht në votime dhe duke shprehur vullnetin të lirë. Asnjë pushtet nuk është më i fortë se vota e lirë dhe referendare. Sa më i plotë dhe referendar të jetë vullneti, aq më të ndëshkueshëm janë ata që përpiqen të ndërhyjnë te vota juaj”, tha Meta.
Një thirrje Meta e kishte për të gjithë ata që nuk kanë votuar këto vite. “Nuk mundet ta humbisni këtë mundësi edhe nëse e keni të vështirë për të zgjedhur, mos harroni se vota është edhe mjet ndëshkimi, që cilido mos t’ju zhgënjejë. Të gjithë drejtë 25 prillit. Të gjithë të verifikojnë kartat dhe dokumentet për të votuar”, tha Presidenti.
Meta iu drejtua edhe Policisë se Shtetit. “Distancohuni nga çdo përpjekje e politikës, qëndroni të pavarur dhe mos u keqpërdorni si në Dibër dhe Shijak. Policia duhet të tregojë integritet të plotë në plotësimin e detyrave. Policia në këtë kohë duhet të luftojë edhe me fortë krimin, të luftojë fenomenin e shitblerjes së votes”, tha ai dhe u kërkoi të gjithë funksionarëve publikë që të tërhiqen nga “çdo përpjekje për të marrë votën forcërisht përmes formave shantazhuese dhe frikësuese”
Presidenti Meta ka paralajmëruar se do të nxjerrë në dritë fakte të reja se si patronazhisti sipas tij ndjek qytetarin që ka në mbikëqyrje që nga rrjetet sociale dhe më pas me problemet që ai ka me shtetin të krijohet një pengesë e paligjshme, që ai të ndërrojë kahun dhe të votojë pro qeverisë.
“Nuk janë patronazhist, por fuksat që ka njohur populli shqiptar për 50 vite në të kaluarën. Memet për këtë çështje janë të papërgjegjshme dhe shumë shpejt do të keni prova tepër serioze dhe pse ky është sistemi i Gestapos dhe pse sulmon ata që kanë mendim ndryshe, apo janë mbështetës të opozitës dhe se si monitorohen ata në rrjetet sociale. Është e tmerrshme të shohësh se si patronazhisti monitoron qytetarin në vijim”, tha Meta.
“Ka problem me patentën, tatimet, një problem tjetër dhe i bëhet e ditur që ky problem mund të zgjidhet vetëm duke u përcaktuar në një drejtim politik, atë të qeverisë. Është një skemë skandaloze e ka bërë Gestapo këtë gjë dhe do të sqarohet në ditët që vijnë”, vijoi ai.
Ndërsa për përplasjet me kandidatin e PS-së, Damian Gjiknuri, Meta tha se duhet te ndaloje me akuzat se ai takohet natën me persona me probleme.
Po ashtu Meta ka kërkuar që kandidatët për kryeministër, por edhe ata në nivel lokal të bëjnë përballje televizive në mënyrë që qytetarët të kuptojnë se kë duhet të votojnë.
“Do t’i ftoja kandidatët për kryeministër që të përballin me qetësi programet e tyre. Do të ftoja drejtuesit e qarqeve apo deputete të bëjë të njëjtën gjë para qytetarëve. Është shqetësuese, kemi garë, po s’kemi debate, s’kemi ballafaqim. Kur kam kërkuar përballje, s’ kam kërkuar përballje si kandidat për kryeministër, por jam akuzuar nga kryeministri aktual dhe nga kandidati për deputet në Vlorë që me shpifjet që bën do përfundojë në det, sikur unë takuakam persona me probleme”, tha Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje