Politike

Kryemadhi nuk e “dëgjon” sërish Metën: Digjet Kejdi Mehmetaj, Petrit Vasili merr mandatin në Tiranë

Monika Kryemadhi ka zgjedhur që të marrë mandatin e fituar në Qarkun e Fierit, duke futur kështu në Parlament Petrit Vasilin, që do të zëvendësojë atë në Tiranë.

Vendimi i është njoftuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përmes një letre dërguar këtë të hënë nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Në këtë letër, Monika Kryemadhi informon Ilirjan Celibashin për vendimin e saj që të përfaqësojë qarkun e Fierit në parlamentin e ri, duke lënë jashtë Parlamentit të ri, Kejdi Mehmetajn.

Me djegien e Kejdi Mehmetajt dhe hapjen e vendit për Petrit Vasilin, Monika Kryemadhi duket se nuk e ka dëgjuar “këshillën” e Presidentit të Republikës dhe bashkëshortit të saj, Ilir Metës. Para, gjatë dhe pas 25 prillit, ai përsëriste vazhdimisht se Parlamenti i ri duhet të ketë sa më shumë përfaqësues të rinj.

Në bazë të ndryshimeve të fundit të Kodit Zgjedhor, kryetarët e partive mund të kandidonin deri në 4 qarqe në zgjedhjet e 25 prillit. Monika Kryemadhi e vendosi emrin e saj të parin në listë në Tiranë, Elbasan dhe Fier.

Në Tiranë, LSI mori dy mandate, ndërsa në Fier vetëm një. Ndërkohë, që pa zgjedhur deri më tani mbetet vetëm Edi Rama, që duhet të vendosë nëse do të përfaqësojë Vlorën, apo Durrësin në Parlamentin e ri. Në të dyja këto qarqe, Kryeministri e vendosi emrin e vet të tetin në listë dhe në të dyja qarqet PS fitoi 8 mandate.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë