Politike

Mosdekretimi i Cakajt ministër, përballja e parë Rama-Meta në 18 maj në Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën 18 maj (ora 10:00) për përballjen e kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta në lidhje me zgjidhjen e mosmarrëveshjes dhe kompetencat për dekretimin e ministrave.

Seanca ishte parashikuar të zhvillohej në 25 mars, por u shty për shkak se një prej anëtarëve të Kushtetueses ishte infektuar me Covid-19.

Në fakt, bëhet fjalë për përplasjen mes krerëve të dy institucioneve kryesore në vend, për mosdekretimin e ish-ministrit të Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj nga ana e Metës.

Kjo padi është depozituar nga kryesocialisti pas refuzimit të dekretimit të ish-ministrit të Jashtëm në detyrë. Ndërsa ministër i Jashtëm me dekret, ishte pikërisht kryeministri Rama.

Kjo pritet të jetë përballja e parë pas zgjedhjeve parlamentare mes Ramës dhe Metës, e cila u karakterizua nga akuza e sulme deri dhe personale.

Në një intervistë në media një ditë më parë, kryeministri theksoi se Parlamenti aktual dhe jo ai që do të formohet në shtator, do të nisë procedurat për shkarkimin e kreut të shtetit. “Metën populli e dënoi dhe Parlamenti do ta formalizojë këtë ndëshkim”, – tha Rama.

Pas një paralajmërimi të ngjashëm nga numri dy i PS, Taulant Balla para pak ditësh, Meta ka deklaruar se është gati të nënshkruajë Dekretin për mbrojtjen e Republikës, duke nënkuptuar për një mosnjohje të zgjedhjeve të fituara nga mazhoranca socialiste.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë