Ne rrjet

Nga azili politik te “pushimet në Greqi”, kush është gazetari-disident i arrestuar në Minsk

Udhëheqësit e G-27, që u takuan në Bruksel, miratuan konkluzione ndaj Bjellorusisë që kërkojnë sanksione të mëtejshme, për të ndaluar linjat ajrore bjelloruse të fluturojnë mbi hapësirën ajrore të BE-së, si dhe duke kërkuar që kompanitë evropiane të shmangin fluturimet mbi Bjellorusinë.

Udhëheqësit e BE-së bënë thirrje për lirimin e menjëhershëm të gazetarit-disident, Roman Protasevich dhe të dashurës së tij, Sofia Sapega dhe i bënë thirrje ICAO-s të nisë një hetim urgjent për rrëmbimin e avionit “Ryanair”.

Disidenti u detyrua të largohej nga avioni nga policia e Minskut dhe menjëherë u arrestua, ndërkohë u shfaq në një video të transmetuar nga kanalet sociale pro-qeveritare të Bjellorusisë.

Në imazhe, Protasevich pretendon se është mirë, se nuk ka probleme shëndetësore dhe rrëfen se ishte gati të planifikonte trazira!

Sidoqoftë, siç kanë theksuar burime të brendshme të opozitës, gazetari i arrestuar ka pasur shenja dhune në fytyrë.

Vetëm 26 vjeç, gazetari dhe aktivisti Roman Protasevich ishte një nga kundërshtarët më të frikshëm të regjimit të Aleksandr Lukashenkos.

Ai nuk jeton në Bjellorusi që nga viti 2019, pasi kishte ikur me familjen e tij në Poloni fillimisht, ku kishte kërkuar azil politik dhe së fundmi në Lituani.

Nga atje, ai menaxhoi kanalet shumë të njohura të Telegramit që koordinojnë iniciativat e lëvizjes disidente në Bjellorusi.

Për këtë arsye, u arrestua në Minsk, në aeroport, pas “rrëmbimit shtetëror” të fluturimit të avionit “Ryanair” Athinë-Vilnius me të cilin po udhëtonte, i urdhëruar zyrtarisht për arsye sigurie. Bashkë me të u arrestua edhe e dashura e tij, Sophia Sapega.

Kush është Roman Protasevich

Avioni ku udhëtonte Roman Protasevich, i cili u ul në aeroportin e Minskut, edhe pse ishte nisur drjejt Lituanisë

Roman Protasevich ka qenë një protestues aktiv i regjimit për të paktën 10 vjet dhe është i lidhur me Frontin e Djathtë. Në vitin 2011, ai u përjashtua nga shkolla për pjesëmarrje në një protestë dhe vite më vonë u përjashtua nga fakulteti i gazetarisë i Universitetit Shtetëror të Minskut.

Kishte udhëtuar për në Athinë “me pushime”, por në kryeqytetin grek, ishte takuar gjithashtu me disidenten Svetlana Tikhanovskaya, e cila kishte shkuar atje javën e kaluar me të njëjtin fluturim.

“Ne jemi gazetarë, – shkroi ai, – por duhet të jemi edhe diçka tjetër, sepse nuk ka mbetur askush tjetër në vendin tim. Të gjithë udhëheqësit e opozitës janë jashtë ose në burg”.

Protasevich ishte në kërkim nga policia me akuzën për përmbysje dhe nxitje të urrejtjes dhe trazirave sociale.

Kanali “Telegram Nexta”

Kanali “Telegram Nexta” në Bjellorusi, është i paligjshëm: censura është radikale në vend dhe çdo liri mediatike klasifikohet automatikisht si një kërcënim politik dhe shoqëror.

Për më tepër, aplikacioni Telegram lejon të fshihet burimi i trafikut telefonik nga vijnë mesazhet, duke e bërë shumë të vështirë për autoritetet të kundërshtojnë ata që e përdorin atë.

“Nexta” në fakt është mjeti kryesor i pavarur i informacionit i popullit bjellorus dhe më gjerë: tani ka 2 milionë ndjekës dhe është përdorur që nga gushti i vitit të kaluar për të koordinuar demonstratat e lëvizjes së protestës, për të shmangur sulmet e policisë së Lukashenkos, për t’u organizuar, për të gjetur hapësira për demonstrimin e disidencës.

Ajo lindi në YouTube, por më pas u bë pjesë e kanalit Telegram. Tani “Nexta”, për udhëheqjen bjelloruse është një organizatë terroriste.

Kanali i “Telegramit Belamova”

Që nga marsi, Roman Protasevich kishte filluar punën për një kanal tjetër disident të Telegram, “Belamova”, i menaxhuar më parë nga disidenti – tani në burg – Igor Losik, ku ai ngarkoi përmbajtje dhe verifikoi vërtetësinë e atyre të postuara nga përdoruesit.

“Belamova” gjithashtu ka qindra mijëra ndjekës. Protasevich mori drejtimin, pasi u themelua gjithashtu nga disidenti Igor Losik.

Çfarë rrezikon tani Roman Protasevich

Gazetari-disident bjellorus, Roman Protasevich, shfaqet në televizionin shtetëror të Minskut pas arrestimit

Tani, zyrtarisht ai përballet me 15 vjet burg, por sipas disa zërave, mund të dënohet me vdekje. Shumë pasagjerëve, në fluturimin e avionit të rrëmbyer në Minsk, Protasevich filloi t’iu thotë se arsyeja e operacionit policor ishte ai dhe se ata do ta vrisnin atë.

“Nëse ai do të kishte mundësi, do të ishte hedhur jashtë avionit”, – tha një person në bord.

Pastaj i dha kompjuterin dhe gjërat personale të dashurës së tij. Por sapo zbriti në tokë, edhe ajo u ndalua.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë