Kryeministri Edi Rama e mori fjalën në seancën plenare të kësaj të enjteje për të folur mbi raportin e Bashkimit Europian për progresin e vendit në rrugën e integrimit, por nuk i shpëtoi dot temës së ditës, ngërçit për marrëveshjen zgjedhore.
Debatin e hapi deputetja Rudina Hajdari, që e ftoi publikisht kreun e Qeverisë që të mbante premtimin që i kishte dhënë opozitës parlamentare për të ndryshuar sistemin zgjedhor, depolitizimin e administratës zgjedhore dhe hapjen e listave. Hajdari e paralajmëroi Kryeministrin që të mos e nënvlerësojë opozitën parlamentare.
“Edi Rama, ti gabohesh nëse mendon se ne jemi kartonë të votojmë atë reformë pa ndryshuar sistemin. Edi Rama na premtove se do ta bëjë reformën me dy shkalla. Unë e ngjita atë shkallë, se vura interesin e shqiptarëve para meje, po tani ti ku e ke shkallën tënde? Çfarë do të bësh ti? Sot listat e hapura i do e gjithë shoqëria shqiptare”, deklaroi deputetja.
Rama u përgjigj duke deklaruar se nuk është ai që nuk do as hapjen e listave dhe as ndryshimin e sistemit dhe duke i kujtuar Hajdarit një ofertë që iu bë Partisë Demokratike para se të digjte mandatet dhe se fajtorin për këtë, opozita parlamentare duhet ta shohë tek vetja së pari dhe tek opozita jashtëparlamentare së dyti.
Duke iu referuar propozimeve të opozitës për formulën e zgjedhjes së anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kreu i Qeverisë nënkuptoi se nuk do të pranojë asnjë formulë që nuk depolitizon administratën e këtij institucioni dhe që anashkalon Parlamentin. Për këtë ai siguroi edhe opozitën parlamentare.
“Harrojeni ju që dikush jashtë kësaj salle mund të na imponohet neve në këtë sallë! Harrojeni! Nuk ka për të ndodhur. Mos kujtoni se jemi noterë të çdo teke”, u shpreh Rama.
Kryeministri “flirtoi” me opozitën parlamentare.
“Përderisa jemi në gjendje që të shkëmbejmë me batuta miqësore me njëri-tjetrin, besoj jemi në gjendje që të mos e trajtojmë njëri-tjetrin në kushtet kur disa këtu i ka sjellë fuqia engjëllore dhe disa të tjerë djalli vetë. Në fund të ditës mendoj që jemi mjaftueshmërisht të rritur për të mos mbetur dyerve të ambasadave, kur vjen puna për t’u marrë vesh për gjëra që duhet t’i zgjidhim këtu dhe nga ana tjetër, që kur jemi këtu për të mos e dhënë përditë shembullin që pa ambasada ne nuk funksionojmë dot”, tha ai.
Për opozitën jashtëparlamentare paralajmërimet i përforcoi! Rama ftoi PD-LSI që të ndalojë ato që i cilësoi shpifje ndaj Qeverisë dhe së dyti t’i përmbahet marrëveshjes së nënshkruar me ndërmjetësimin e fortë të Ambasadës Amerikane.
“Mos na tundoni se për atë Zot…për mua nuk është reformë, është një kthim mbrapa për funksion të faktit që Shqipëria të mos bëhet muhabet kafenesh lart e poshtë nëpër Europë. Por, një fije peri e ndan këtë marrëveshje nga përfundimi dhe grisja e saj dhe është detyra e Lulzim Bashës që ta ruajë mirë këtë fije”, deklaroi Kryeministri.
Në fjalën e gjatë të mbajtur, Kryeministri nënkuptoi tërthorazi, se megjithëse nuk është ai nismëtar i propozimit për të ndryshuar Kushtetutën dhe ndaluar koalicionet parazgjedhore, idenë e mbështet.
“Mos më bëni të flas për koalicionet se është një deputet këtu që nuk ka votuar as për veten e vet dhe sot ka ardhur këtu deputet i PD-së, pasi ka bërë fushatë për mua dhe për PS-në. Mes këtyre dy kohërave ka kapur një drejtori”, deklaroi ai, qartazi duke iu referuar deputetet Lefter Maliqi, megjithëse nuk ja përmendi në asnjë rast emrin.
Rama fajësoi Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim për ngërçin e ri në Këshillin Politik dhe u bëri thirrje që të heqin dorë nga kërkesat maksimalizuese.
“Do të doja që në këtë moment mos shprehesha publikisht, derisa ka një proces që është ende i papërfunduar si rezultat i zvarritjes që po i bën opozita jashtëparlamentare detajimit të marrëveshjes, që ju personalisht bashkë me tre të tjerët keni firmosur në selinë e një ambasade mike”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje