Deputeti i PD-së, Edi Paloka i cili ka bashkëpunuar me Lulzim Bashën në tetë vite si nënkryetar partie i është drejtuar këtij të fundit me një propozim të fundit para se situata të marrë përmasa të paparashikuara të shtunën nisur nga deklaratat maj më maj të dy palëve kundërshtare në parti.
“…E kam thënë që në fillim të ’konfliktit’ se vetëm VOTA e demokratëve e zgjidh problemin. Në këto kushte, mbetet dhe një hapësirë e fundit; zgjedhjet në PD për të gjitha strukturat përfshi dhe kryetarin e PD.
Kuvendi i 11 dhjetorit ka caktuar një periudhë dhe 22 marsin si ditën e zgjedhjeve si dhe ka ngarkuar Komisionin e Rithemelimit për organizimin e tyre. Unë mendoj që për interesa madhore të PD çdo gjë mund të negociohet për të zhvilluar një proces të pastër e me besimin e të gjithëve.
Demokratët të vendosin me votën e tyre sepse vetëm kështu qëndrojmë të bashkuar dhe gjithë energjitë tona i përqendrojmë në luftën kundër Ramës. Bëhu pjesë e këtij procesi.
Kush fiton drejton! Por edhe ai që humbet, nuk humb përfundimisht!
Zoti Basha, ti je ende i ri, kështu që edhe po të humbësh në këtë garë, nuk do të ishte fundi i karrierës tënde politike.
Nëse do ndiqje këtë rrugë, kam bindjen që dhe shumica e demokrateve që sot janë kundër teje, do dinin të falnin e pse jo dhe të të mbështesnin në një të ardhme. Ndërkaq rruga ku je futur e po ndjek është fundi sepse nëse i çon demokratët deri në përplasje, nuk bën gjë tjetër veçse shërben si kamikaz për interesin e Ramës, i cili është i vetmi që përfiton.
Prandaj zgjidh vërtet të ardhmen tënde dhe të PD, e prano votën e demokratëve si mekanizmin e kësaj të ardhmeje”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e Edi Palokës i cili ndër të tjera sqaron se ky propozim është i tiji personal dhe jo si anëtar i Komisionit të Rithemelimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje