“Disa njerëz, të cilët më parë ndiheshin të paprekshëm, sot ndodhen në burg. Por ka të tjerë që vijojnë të veprojnë sikur të ishin të pandëshkueshëm për shkeljet e tyre dhe ndihen sikur ligji të mos zbatohet në mënyrë të barabartë për këdo.
Për këtë arsye, ne si Mbretëri e Bashkuar po intensifikojmë përpjekjet tona për t’i shkëputur lidhjet mes politikës, biznesit dhe aktiviteteve të paligjshme si në botë, ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor.
Mbështetur mbi regjimin tonë të Sanksioneve Globale Antikorrupsion ne kemi listuar 27 individë të përfshirë në korrupsion serioz në mbarë botën…”, shkruan Stuart Peach i Dërguari i Posaçëm i Kryeministrit britanik në Ballkanin Perëndimor.
Në një shkrim të botuar pas turit të tij ballkanik, (publikuar nga ambasada britanike në Tiranë) Peach nënvizon: “Mesazhi i Mbretërisë së Bashkuar për të gjitha ata që janë përfshirë në krim apo korrupsion është ky: promovimi i krimit dhe korrupsionit, qoftë në Ballkanin Perëndimor apo gjetkë nuk do të jetë pa pasoja dhe ju nuk do të jeni të mirëpritur në Mbretërinë e Bashkuar”.
Ai njofton gjithashtu se, “këtë javë, ndërmorëm veprime frenuese kundër disa individëve shqiptarë në lidhje me krimin dhe korrupsionin, të publikuara gjerësisht dhe të dokumentuara”. Por kush janë ata?
Lëvizja e Britanisë së Madhe i bashkohet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nismës së saj për të luftuar korrupsionin dhe vendosur demokraci.
SHBA e kanë tashmë një listë politikanësh të shpallur non grata përfshi ish-kryeministrin Sali Berisha.
A do të jetë ky i fundit edhe në listën e Britanisë së Madhe në një kohë që ky i fundit ka hapur proces gjyqësor për vendimin e DASH? Kjo pritet për t’u parë por ajo ç’ka nënvizoi ndër radhë i dërguari britanik ishte se jo çdo gjë mund të bëhet publike.
Ajo që dimë deri më tash është synimi i njëjtë i Britanisë si SHBA, fakti se Sali Berisha që pas rizgjedhjes në krye të PD-së vijon të mos ketë kontakte ndërkombëtare të paktën me selitë më të rëndësishme në vend, (sa kohë që nuk përcjelle asnjë takim të këtij lloji) dhe së treti një deklaratë e kryeministrit Edi Rama të enjten në Kuvend ku la të kuptoje se Berisha është në listën britanike teksa në debat i sipër i tha ish-kryeministrit se ai (Berisha) së shpejti nuk do të mund të kalojë as kanalin e La Manshit. “..Je i pa padëshiruar me certifikatë dhe me certifikatë të vulosur nga SHBA me vulë dhe firmë dhe oqeani iku tani. Ikën edhe Gjibraltari Kanali i La Manshit…”, i tha Rama, Berishës.
Apo edhe kur në një tjetër replikë, ai i kujtoi Berishës sërish të njëjtin hall.
“Së shpejti vjen kjo gjëja ‘non grata’ tek Gadishuilli i madh Britanik dhe pastaj çfarë do bëni ju”
Kryeministri Rama ishte i pari që lëshoi sinjalin e DASH këtu e disa vite më parë po gjatë një debati në Kuvend me Sali Berishën se ky i fundit nuk do të mund të kalonte Atlantikun.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje