Futboll

Partizani pa busull në fushë, zhgënjim total ndaj Bylisit

Katër ndeshje pa fitore janë shumë për një skuadër me pretendime të mëdha. Partizani ka shpërdoruar rastin më të mirë për t’u afruar me Vllazninë dhe Kukësin, që sot u mundën. Të kuqtë kanë barazuar 0-0 me Bylisin në “Elbasan Arena”, ku zhvilluan një nga ndeshjet e tyre më të dobëta, jo vetëm se nuk shënuan.

Në stol mungonte trajneri Ilir Daja, i cili, sipas njoftimit zyrtar të klubit Partizani, ka pasur shqetësime shëndetësore për shkak të një gjendjeje virale dhe nuk ka dashur të rrezikojë. Ekipin e kanë drejtuar ndihmësit e tij, Kalari dhe Pollozhani. Partizani ka hasur vështirësi, megjithatë ka krijuar dy mundësi të arta shënimi me Solomonin dhe Bardhin, por asnjëri nuk ia doli ta dërgonte topin në rrjetë.

Rezultatet e ndeshjeve të javës së 9-të. Gazeta Si, 19 dhjetor 2020

Edhe Bylisi është përpjekur me ndonjë kundërsulm apo me goditjet standarde për ta vënë në vështirësi portierin Hoxha. Në pjesën e dytë, edhe pas ndërrimeve, te të kuqtë nuk ndryshoi asgjë, çka tregon alternativat e pakta që ka ekipi për shkak të bllokimit të merkatos. Gjatë lojës gjithashtu ra në sy fakti se Partizani nuk ka një lider që ta udhëheqë në momente të vështira. Pas javës së 9-të, të kuqtë ruajnë vendin e 3-të, me 13 pikë, por në këtë kuotë janë edhe Kastrioti, Tirana dhe Teuta.

Pas ndeshjes, në faqen zyrtare të Partizanit në Facebook kanë qenë të shumta komentet e tifozëve kundër futbollistëve dhe drejtuesve të klubit. Sipas tyre, skuadra nuk ka gjak dhe duhet ndryshuar pjesa më e madhe e lojtarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë