Vëzhgues në distancë i konfliktit të brendshëm në Partinë Demokratike, që kulmuan me dhunën e së shtunës, Edi Rama është perceptuar si fituesi i madh i këtij konflikti. Por, Rama thotë se ky nuk është rasti kur zihen dy vetë fiton një i tretë.
Kreu i Qeverisë ftoi demokratët në bashkëbisedim në rrjetet sociale, ku barazlargoi veten si nga Sali Berisha, ashtu edhe nga Lulzim Bashën. Për Ramën, që të dy ata e kanë humbur legjitimitetin për të drejtuar demokratët dhe po kacafyten për interesa personale.
“Është e njëjta gjë e ndarë përgjysmë. Të dy për interesin e tyre krejt personal. Vetëm ky interes mund ta mbajë një udhëheqës të një partie politike si të ishte një princ mesjetar i mbyllur në një kështjellë që nuk guxon që të dalë dhe të thotë ‘ja ku më keni, ta provojmë kush e ka shumicën’. Nuk po e diskutoj tjetrin fare se është shumë e qartë se çfarë është. Qëndronte atje pas se kishte lënë këtë dhe ky i bëntë çdo gjë që donte ai. E ka mbrojtur këtë më shumë se sa ky dinte të mbronte veten e vet. E kishte administratorin e pronës”, tha Rama.
Rama tha se nuk ka dalë që t’i ftojë demokratët që të votojnë Partinë Socialiste, por i ftoi ata që të gjejnë një tjetër për t’i drejtuar e udhëhequr. “Të dyja palët e kanë humbur besimin për të drejtuar dhe udhëhequr demokratët. Mbahen të dy që të mos bien të dy”, u shpreh ai.
“Duhet me patjetër që të gjendet rruga që kjo kacafytje të mbarojë dhe të mos kemi më skena të tilla, që tentohet të përsëriten. demokratët duhet ta gjejnë vetë atë që ju duhet për t’i udhëhequr. Në kushtet ku jemi, se si e shoh unë këtë situatë, është më rëndësi që ta kuptojnë të gjithë që nuk bëhet fjalë për t’u argëtuar dhe ndjerë mirë se u shkallmua nga themeli një force politikë, që është kundërshtare, por në fund ka mbajtur në ekuilibër sistemin demokratike dhe kjo frymë agresiviteti që ushqehet nga njerëz që nuk kanë asnjë instikt tjetër përveç dhunës nuk na çon aty ku duam të shkojmë ne”, tha ai.
Rama thotë se ngjarjet e së shtunës nuk janë dëshmi e mungesës së opozitës, pasi sipas tij, vendi ka kohë që është pa opozitë. “Vendi nuk ka opozitë sot. Ka kohë që ky vend që nuk ka opozitë, sepse nuk është opozitë ajo që është shfaqur përpara nesh në gjithë këto vite. këtë e kam thënë me kohë dhe me vakt”, tha ai.
Kryeministri e mbylli fjalën duke ftuar demokratët që “t’u varin teneqet si Sali Berishës, ashtu edhe Lulzim Bashës”.
“Është koha që të shpëtojmë institucionin e opozitës”, tha ai.
“Policia mbrojti PD-në siç mbrojti Qeverinë”
Policia është akuzuar nga të dyja palët përplasëse brenda Partisë Demokratike për ndërhyrjen gjatë së shtunës. Por, Kryeministri vlerësoi edhe punën e policisë dhe rolin e saj.
“Policia e stërvitur për të përballuar këtë materie politike, këtë lloj qasjeje dhe këtë lloj drejtimi politik që e përfshin dhunën si mjet politik me agresionin ndaj godinave, meriton një falënderon shumë të posaçëm. Mbajti të njëjtin standard siç e ka krijuar në mbrojtjen e godinës së Qeverisë nga ky material, kjo prurje, kjo turmë e cila dje ishte ndarë përgjysmë, njëra pjesa brenda godinës dhe tjetra jashtë”, tha ai.
Sulmet ndaj policisë i konsideroi si treguesi më kuptimplotë se të dyja palët përplasëse në PD janë larg konceptit të shtetit.
“Sulmet e të dyja palëve pasi gjërat u kthyen në një farë normaliteti ndaj policisë është shëmbëlltyre se të dyja ato kufoma janë shumë larg idesë së shtetit, kulturës dhe ligjit dhe ligjshmërisë sepse janë në fakt e njëjta gjë, e njëjta mbetje e ndarë përgjysmë. E vjetra apo e reja këtu është thjesht biologji dhe nuk është absolutisht asgjë tjetër”, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje