Në shqyrtimin i projektligjit për disa ndryshime në ligjin “Për Kodin Rrugor” të propozuar nga vetë ai, Taulant Balla tha gjatë mbledhjes së komisionit parlamentar se vlefshmëria e lejedrejtimit nga 10 vjet duhet të bëhet 15.
Ai ka kërkuar gjithashtu që të patentuarit në moshë të re tu kufizohet shpejtësia tre vitet e para.
“Ne ndihmojmë me këtë qytetarin. Nuk e di pse në krye të 10 viteve duhet rifreskim, kur në Gjermani është 15. Ulim burokracitë, minimizim shkuarjen në sporteleve, kursim kohe dhe financash. Efektet e pritshme: 9.7 milionë dollarë kursim për qytetarët në një vit, përfitues 80 mijë shqiptarë në vit. Në këndvështrimin tim, për të patentuarit me moshë të re, i referohen Kodit Rrugor Italian. Ata kanë marrë këtë vendim për tre vitet e para dhe nga kjo lloj mase rezultoi të ishte një masë e duhur. Sot në Evropë aksidentet rrugore me të rinj nga 15 deri në 30 janë 25% e të gjitha aksidenteve rrugore. Me këto lloj kufizimesh pretendojmë të ulim aksidentet që vijnë nga të patentuarit për herë të parë.
Rritja e moshës për mbajtjen e patentës bëhet edhe për shkak të uljes së numrit të specialistëve për makineri të caktuara. Këta lloj specialistësh mund të vijojnë ta bëjnë deri në moshën 70 vjeç, kjo sërish referuar eksperiencave më të mira evropiane. Një numër i madh shqiptarësh vijnë në verë për të rinovuar patentën dhe për këtë propozoj që kolegët ta kalojnë para se të mbyllim sesionin parlamentar në fund të korrikut, që t’u shkojmë në ndihmë shqiptarëve që jetojnë jashtë. Duhej të ishte bërë më herët, por pjesa më e madhe e ndryshimeve të propozuara lindën për shkak të bisedimeve me autoritetet gjermane”, tha Balla.
Por ajo ç’ka kreu i grupit parlamentar i PS-së nënvizoi gjatë mbledhjes (por që nuk e kishte përshirë në projektligj) ishte propozimi për rritjen e shpejtësisë në autostrada.
“Në Shqipëri ka ardhur momenti që në autostrada të shtohet shpejtësia nga 110 deri në 130 km në orë. Kjo nuk është e përfshirë në propozimet e mia por e hodha si ide që mund të diskutohet dhe pse jo të shtohet, duke e afruar më afër me standardet e Bashkimit Evropian”, tha Balla.
Balla propozoi gjithashtu që të ulet edhe shpejtësia nga 40km/h në 30 km/h brenda qytetit, pasi sipas tij shpejtësia aktuale behet shkak për aksidente.
“Limiti ka qenë shumë i vjetër, ndërkohë që përcaktimin e limitit të shpejtësisë edhe nëse do bëjmë ndryshime në Kodin Rrugor, do e përcaktojë autoritetet se në cilat rrugë është e mundshme, në rrugët brenda zonave të banuara limiti i shpejtësisë 40 km/h është shumë i lartë. Kemi pasur në qendër të Tiranës aksidente për shkak të këtij limiti, brenda qyteteve të jetë 30 km/h, këto janë 2 çështje që i kemi hedhur si një shtysë për një diskutim mes kolegeve të këtij komisioni dhe deri në draftin përfundimtar të ndryshimeve në ligj të marrin formën e përbashkët”, tha ai.
Balla kërkoi bashkëpunimin e gjithë deputetëve për këtë propozim deri sa projektligji të marrë formën e prerë gjatë votimit në Kuvend.
Pas propozimeve të Ballës deputetët e opozitës më shumë u fokusuan tek problematikat aktuale.
Sipas tyre, vendi nuk vuan nga mungesa e legjislacionit por respektimi i rregullave.
Ata nënvizuan se nuk duhet të bëhen ndryshime pjesore por të vijë një paketë e plotë, ndërsa u ankuan më së shumti tek sinjalistika në vend.
Ajo që foli më konkretisht rreth propozimeve të Ballës ishte deputetja e PS-së, Luljeta Bozo. Ajo nënvizoi se në Shqipëri nuk ka rruge për shpejtësi 130 km/h.
Sipas saj, rrugët më këtë shpejtësi duhet të jene me tre korsi dhe një korsi emergjence. Bozo iu referua më shumë zbatimit të ligjit aktual sa i përket shpejtësisë. Ndërsa ishte dakord për atë ç’ka Balla kishte propozuar në letër lidhur me vlefshmërinë e kohëzgjatjes së patentave.
“…Nuk duhet të nxitojmë të shkojmë te 130. Ne nuk kemi rrugë për të ecur me 130 km në orë. Kurse në zonat urbane përveç masave që duhet të marrin organet kompetente që të mos ketë ndërprerje të rrymës. Mendoj që 30-40 është shpejtësi normale. Jam edhe për këtë tjetrën që rregulli në çdo vend të botës vendoset me forcën e ligjit… Kur të vret xhepi nuk e shkel më.
Unë jam për gjobat. Ai që e merr gjobën nuk e shkel më sepse do paguajë nga xhepi. Nuk jam e mendimit që shteti pasurohet nga gjobat. Ligji gjithmonë vendoset me dhunë, në thonjëza. Dhuna është dhunë verbale. Është një këshillë, pastaj është gjoba”, tha ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje