Partia Demokratike depozitoi në Gjykatën Kushtetuese padinë kundër marrëveshjes për Portin e Durrësit.
Në një prononcim për mediet para Gjykatës Kushtetuese, nënkryetari i PD-së Oerd Bylykbashi, e cilësoi atë një aferë të fshehtë.
“Jo thjesht me mungesën e transparencës, por e bërë qëllimisht kështu sepse është një grabitje e tillë e pasurisë publike për interesa private, marrja e pasurisë publike, Porti i Durrësit dhe dhënia për interes përfitimi individësh privat nën petkun e investitorit strategjik por në fakt me kompani offshore që në fakt pas tyre qëndrojnë interesat e pushtetarëve. Pikërisht këtë ne e godasim në Gjykatën Kushtetuese. Shpresojmë se Gjykata Kushtetuese do të qëndrojë në nivelin e saj që pritet nga opinioni publik, dhe të zbatojë Kushtetutën në mbrojtjen e interesit publik”, tha ai.
Porti i Durrësit, sipas tij, është një aset ekonomik i të gjithë shqiptarëve.
“Porti i Durrësit është atje si themel i një qyteti 3-mijëvjeçar dhe nuk mund t’u merret qytetarëve. Ne do ta bëjmë këtë betejë sepse nuk mundet që magafera më e madhe korruptive të jetë simboli i mënyrës së qeverisjes. Këtë PD nuk do ta lejojë”, tha Bylykbashi.
Më konkretisht PD kërkon shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të një ligji të miratuar jo sot por dy vjet me parë për rafitifikimin e marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik mes qeverisë shqiptare dhe Emirateve të Bashkuara dhe pezullimin e zbatimit të këtij ligji deri sa të flasë gjykata Kushtetuese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje