Politike

PD e LSI kërkuan prova shtesë për pavlefshmërinë e zgjedhjeve, KAS e rrëzon

Përpjekjet e Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në misionin për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit morën një goditje nga ana e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve.

KAS mori në shqyrtim kërkesat e PD, LSI dhe kandidatit të Vetëvendosjes në Qarkun e Gjirokastrës. Të trija kërkesat kërkonin shpalljen e pavlefshmërisë së procesit, ndërsa akuzonin se vendimi i qeverisë për karantinë për të gjithë shqiptarët që hynin nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut u zbatua selektivisht, duke izoluar mbështetësit e opozitës.

Sipas pretendimeve të PD dhe LSI rreth 500 shtetas shqiptarë, mbështetës të Partisë Socialiste iu shmangën detyrimit të karantinimit, madje sipas LSI, disa prej tyre kanë qenë edhe zyrtar të komisioneve të votimit dhe të numërimit gjatë zgjedhjeve të 25 prillit.

Opozita kërkonte që veç provave që ka dorëzuar vetë në KAS, ky i fundit të merrte prova shtesë te organet e tjera shtetërore, si policia, drejtoritë e saj të kufirit dhe prokuroria. Kërkesa është rrëzuar 3 me 2 nga ana e KAS. Por, relatori Ledio Braho tha se ai dhe anëtari tjetër i KAS, Elvis Çefa i kanë kërkuar KQZ-së verifikimin nëse ndonjëri nga lista me 500 emra që opozita ka dorëzuar si provë, ka qenë pjesë e administratës zgjedhore më 25 prill.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë