Sa delegate ka zyrtarisht Partia Demokratike dhe a kanë firmosur delegatet si për Kuvendin e 11 dhjetorit ashtu edhe për atë të 18 dhjetorit? Një ditë para mbajtjes së Kuvendit të parë të thirrur nga Sali Berisha, në zyrat e selisë blu, vetëm pas dy javësh publikimi të listave të delegatëve nga njëra palë, Gazment Bardhi i shoqëruar nga drejtës të degëve të PD-së ka njoftuar se 69% e delegatëve kanë firmosur për Kuvendin e 18 dhjetorit.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi bashkë me zëdhënësen e PD, Ina Zhupa në një konferencë për shtyp akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha se po përdor retorikë përçarëse te demokratët.
“Pas një rrëmuje disa mujore me gjoja kërkesën për thirrjen e Kuvendit të PD, në ditën ku do të duhej të dorëzohej kërkesa zyrtare pranë institucioneve, u krye një proces tallje me demokratët. Duke vlerësuar këtë situatë me 5 nëntor u vendos mbledhja e Kuvendit me 18 dhjetor. Gjuha dhe retorika përçarëse e Berishës vazhdoi edhe pas vendimit të Kryesisë… Anëtarët kanë konfirmuar masivisht pjesëmarrjen në Kuvendin e PD. Secili prej tyre ka nënshkruar nën prezencën e një zyrtari të partisë pjesëmarrjen. Kësaj thirrje përçarëse nuk i janë përgjigjur 5259 anëtarë të Kuvendit ose 69% e tyre. 1146 anëtarë të Kuvendit nuk kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Kuvendin e thirrur me 18 dhjetor. Në 11 degë për shkak se kryetarët e degëve nuk janë përfshirë procesi i njoftimeve ka nisur me vonë,” tha ai. Nga Këshilli Kombëtar, Bardhi tha se kanë firmosur për Kuvendin e 18 dhjetorit 302 anëtarë. Bardhi radhiti numrat e delegatëve për secilin qark duke konfirmuar se shumica kanë firmosur për Kuvendin e thirrur nga Lulzim Basha.
Në fakt të njëjtën gjë prej dy javësh ka bërë edhe pala tjetër, duke bërë publike lista emrash delegatësh që përveç rastit të Rrogozhinës, për askënd tjetër nga PD-ja zyrtare nuk pati reagim. Pala tjetër pretendon se numri i firmëtarëve të delegatëve që kanë konfirmuar pjesëmarrjen duke publikuar edhe emrat për Kuvendin e 11 dhjetorit janë diku tek 4890 nga rreth 5200 .
Por vetëm 24 orë para mbledhjes së Kuvendit të së shtunës, Partia Demokratike përmes Gazment Bardhit ka vendosur që të bëjë transparencën e emrave nga ana e saj, duke e bërë akoma edhe më kakofone situatën e ndezur brenda PD-së; Që më emrat e publikuar nga secila palë ose PD-ja po kalon kufijtë absurdit me mbi 10 mijë delegatë për një Kuvend, ose delegatët kanë firmosur si për Kuvendin e 11 dhjetorit ashtu edhe për atë të 18 dhjetorit, ose njëra palë ka çeduar me këtë proces.
Lista e lexuar nga Bardhi e numrave të delegatëve për secilin qark për 18 dhjetorin:
Dibër- 352
Korçë- 326
Berat – 287
Lezhë – 258
Shkodër – 389
Gjirokastër- 205
Vlorë – 342
Fier – 508
Durrës – 308
Elbasan – 544
Tiranë – 1326
Kukës – 112
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje