Politike

PD në rënie të lirë/ Beteja për drejtimin e partisë dhe dy rrymat Alibeaj-Tabaku që po luftojnë njëra-tjetrën

Qysh prej dorëheqjes të së mërkurës të Enkelejd Alibeajt, në Partinë Demokratike ka filluar zhurma dhe debati, se kush duhet ta drejtojë partinë deri në zgjedhjen pa afat të kryetarit të ri.

Enkelejd Alibeaj përcolli një qëndrim të gjatë se dorëhiqej nga kreu i komanduar i partisë dhe kryetari i grupit për shkak të rezultatit, por nuk “ra” nga froni partiak

Ai tha se do të zhvendosej në detyrën e mëparshme që mbante para se të komandohej si kryetar, atë të nënkryetarit.

LEXO EDHE:
– Salianji: Pati deputetë të PD, që nuk bënë fushatë, kush lufton për poste personale është turpi i vendit
– Tabaku: E papritur dorëheqja e Alibeajt, PD duhet të ndryshojë që të jemi alternativë e shumicës
– Humbja e thellë në zgjedhje, Xhaferaj: Berisha mund të jetë vagon në trenin opozitar, por jo drejtues
– ‘Berisha s’ka pse të largohet’, Paloka: Alibeaj e mbaroi misionin që ia kishin caktuar

Që do të thotë se Alibeaj do të vijojë të kontrollojë PD nga ajo detyrë madje do të futet në garë bashkë me Jorida Tabakun si dy nënkryetare partie se kë prej tyre do të miratojë Këshilli Kombëtar për të drejtuar në mënyrë tranzitore partinë.

Paralelisht është futur në lojë edhe Sekretari i Përgjithshëm, Gazmend Bardhi.

Ne foto: Deputeti i PD-se, Gazment Bardhi

Ky i fundit thirri të mërkurën pasdite vetëm Tabakun në takim dhe tha publikisht se do të zbatonte statutin duke thirrur Këshillin Kombëtar për të votuar një nga dy nënkryetarët për drejtimin e partisë. Por fakti që kishte takuar vetëm Tabakun dhe jo Alibeajn mesazhin e përcolli.

Jorida Tabaku tha të enjten se nuk kishte ambicie për të drejtuar partinë porse qëllimi kryesor i saj ‘ishte ajo e demokratëve’.

Jo pa qëllim Tabaku tha se dorëheqja e Alibeajt për të erdhi e papritur, ndërsa nënvizoi se nuk duhet të përsëriten gabimet e të shkuarës

Por një tjetër përfaqësi në PD që anon me shumë nga Alibeaj nuk i sheh kaq të sinqerta qëndrimet e fundit të Bardhit dhe Tabakut.

Jonila Godole komentoi përmes një postimi në Facebook se pas Alibeajt duhet të dorëhiqen nga funksionet edhe Tabaku me Bardhin me argumentin se bojkotuan fushatën.

“…E njëjta përgjegjësi duhet të mbahet edhe nga pjesa tjetër e lidershipit të partisë, sekretari i përgjithshëm dhe nënkryetari i partisë, të cilët bojkotuan fushatën dhe kandidatët e PD-së, dhe të cilëve u faturohet akoma më tepër  rezultati i dobët i këtyre zgjedhjeve”, komentoi ajo.

Vetëm pak orë nga postimi i Godoles edhe kandidati për bashkinë e Tiranës, Roland Bejko, foli shkoqur.

Ne foto: Roland Bejko

“… Alibeaj ka qenë në situatë të vështirë sepse qëndrimi i grupit dhe kryesisë kanë qenë në kundërshti. Sekretari i Përgjithshëm ka ndihmuar kandidatin e foltores dhe nënkryetarja nuk u duk një ditë në fushatë. Një fundjavë kishin kapur të dy malet. Unë bëja fushatë zonja në fjalë hidhte foto ekzotike nga Bjeshkët e Namuna…”, tha Bejko, duke iu referuar Tabakut.

Madje kur Gazment Bardhi lajmëronte se do të fuste Tabakun për votim në Këshill Kombëtar për të drejtuar partinë sipas statutit, kjo e fundit postonte foto nga stadiumi duke ndjekur derbin Tirana-Partizani.

Lëvizjet brenda PD-së sigurisht që nuk janë kaluar pa komente edhe nga pjesa tjetër e llogores.

Ne foto: Deputeti dhe nenkryetari i grupit parlamentar i PD-se, Ervin Salianji

Ervin Salianji, i cili po mbledh firmat për kryetar grupi, kur të njëjtën gjë po bën edhe Gazment Bardhi, shigjetoi këtë të fundit, por edhe Tabakun kur i përfshiu (pa i përmendur emrat) tek ata deputetë që nuk kishin fushatuar këto zgjedhje.

Salianji tha gjithashtu se ka një përpjekje për të marrë partinë për një pagë, ndërsa kërkoi një mbledhje të gjithë deputetëve.

Sali Berisha ndërkohë tha se do të bashkëpunonte me këdo në PD-në zyrtare por vetëm me Enkelejd Alibeajn dhe Lulzim Bashën jo.

Ky i fundit ndërkohë nuk është larguar nga partia.

Basha dhe Alibeaj nuk ishin të enjten në Kuvend dhe lëvizjet e tyre janë ende jo publike. Por Roland Bejko është shprehur se Basha do të rikthehet në drejtimin e partisë duke zbuluar madje se ai e kishte ndihmuar me staf për fushatën në Tiranë.

Ne foto: Enkelejd Al;ibeaj, Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi

Nga sa kuptohet nga qëndrimet publike në PD qartazi po lëvrojnë dy rryma; Në njërën anë Bardhi dhe Tabaku, në anën tjetër Alibeaj dhe Basha.

Në mes të këtij “dyluftimi” kane mbetur opinionet jetime të deputetëve të cilët në shumicë nuk duan as Bashën, as Berishën dhe as Alibeajn t’ju prijë.

Po aq kaotike ka mbetur edhe kryesia e PD-së zyrtare. Kur dha dorëheqjen publike nga kryetar i PD, Alibeaj tha se kishte njoftuar mbledhjen e kryesisë të premten në mesditë. Por deri në publikimin e këtij lajmi asnjë prej anëtarëve nuk është njoftuar zyrtarisht.

Gjithçka u mor vesh nga një deklarate e papritur publike e Enkelejd Alibeajt. Që sa duket nuk do të jetë e para… Në PD gjithçka mund të ndodhë…


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë