Partia Demokratike adoptoi një qasje potencialisht të jashtëligjshme me ngritjen e strukturës së mbrojtjes së votës më 25 prill, Partia Socialiste keqpërdori postet dhe financat publike në fushatë dhe agjencitë ligjzbatuese duhet të bëjnë më shumë përpjekje për identifikimin, hetimin dhe ndëshkimin e shit-blerjes së votës.
Këto janë tri gjetjet kryesore të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 25 prillit. Raporti është publikuar i plotë këtë të hënë. Në të thuhet se shit-blerja e votës mbetet një problem i trashëguar edhe nga zgjedhjet e mëparshme.
“Ashtu si edhe në zgjedhjet e e shkuara, dyshime të besueshme të shit-blerjes së votës ishin të pranishme, gjatë dhe pas fushatës elektorale. Hetime u nisën për një sërë rastesh. Këto hetime nuk u kufizuan vetëm te një parti. PD, që ka qenë më e zëshmja kundër shit-blerjes së votës adoptoi metoda ndërhyrëse potencialisht të jashtëligjshme për mbrojtjen e votës, që i vetëjustifikoi gjatë deklaratave”, thuhet në raportin e ODIHR.
Misioni i ODIHR është takuar me drejtuesit e policisë, që siç thuhet në raport ua kanë bërë të qartë se është e paligjshme ngritja e strukturave paralele me Policinë e Shtetit, si struktura e vetme e mbrojtjes së votës dhe rendit publik.
ODIHR thotë se agjencitë ligjzbatuese duhet të bëjnë më shumë në përpjekjet e tyre për të identifikuar, hetuar dhe çuar para drejtësisë të gjitha përgjegjësit e shit-blerjes së votës.
“Qytetarët duhen inkurajuar që të raportojnë dhe sigurojnë prova të presionit në këmbim të votës”, thotë raporti.
Mes gjetjeve vërehet se nuk pati një ndarje të qartë mes aktiviteteve partiake dhe ato qeveritare, edhe pse Kodi Zgjedhor e ndalon dhe kufizon përdorimin e buxhetit dhe shpenzimeve buxhetore katër muaj para zgjedhjeve.
“Kodi Zgjedhor kërkon që eventet publike zyrtare, duke filluar nga katër muaj para zgjedhjeve duhet të raportohet të paktën pesë ditë përpara se të mbahen. Komisioneri më pas duhet të vazhgojë dhe të ndalojë disa prej këtyre eventeve, që në çdo rast nuk duhet të promovohen mediatikisht. Gjatë të gjithë fushatës, asnjë event nuk u ndalua, duke ngritur dyshime në KQZ kishte aftësitë institucionale që të zbatonte ligjet”, vëren ODIHR.
Raporti thotë se ministrat vazhduan angazhimet e tyre zyrtare edhe gjatë fushatës. U shfaqën rregullisht në vizita “inspektimi”, si në qendra vaksinimi, duke veshur maska dhe bluza me numrin 12, numrin e PS-së në fletën e votimit.
“Kryeministri gjithashtu përurori disa projekte infrastrukturore gjatë fushatës zgjedhore. Këto lloje aktivitetesh i dhanë PS-së një avantazh domethënës, që u përforcua nga dominimi i administratës vendore nga kjo parti”, thuhet në raport.
Raporti vëren se para zgjedhjeve u rrit ndjeshëm punësimin në sektorin publik dhe bëhet thirrje që të hetohen të gjitha akuzat për shkelje të kodit zgjedhor. “Përfshirë keqpërdorimin e fondeve shtetërore”, thekson raporti.
ODIHR hedh dyshime se publikimi i të dhënave personale të 900 mijë qytetarëve para zgjedhjeve mund të ketë cenuar rëndë të drejtën e privatësisë.
“Shpërndarja e paautorizuar e të dhënave personale të votuesve mund të cilësohet si shkelje e të drejtës së jetës private e familjare. Mund të dëmtojë besimin e elektoratit te fshehtësia e votës së tij. Shqipëria duhet të garantojë sigurinë e të dhënave personale të qytetarëve të saj. Institucionet relevante duhet të hetojnë dhe sanksionojnë çdo shkelje, që ndikon te besimi i publikut te proceset zgjedhore”, thekson raporti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje