Në mungesë të kushtëzimit të numrave që kërkon raundi i katërt i votimit për Presidentin e ri, Partia Demokratike u tërhoq nga procesi dhe në konferencën e kryetarëve të thirrur këtë të martë, Enkelejd Alibeaj e përqëndroi debatin te kërkesa e adresuar për ngritjen e Komisionit Hetimor për Investimet Strategjike.
Kërkesa e Alibeajt për ta futur në rend dite këtë pikë u refuzua nga socialistët, ndërsa nga opozita, Fatmir Mediu u shfaq kritikues duke deklaruar se duhej ta kishin propozuar një emër për President në tre raundet e para, për të mos arritur në pikën që PS e ka plotësisht vetë në dorë.
Gjithsesi, Mediu kritikoi edhe socialistët, që sipas tij përfituan nga përçarja e opozitës dhe nuk respektuan detyrimin kushtetues që edhe ata të paraqisnin një emër si kandidat në tre raundet e para të votimit.
Megjithatë, nga PS nuk përjashtuan konsultimet me opozitën as në këto ditë të mbetura deri të shtunën në orën 18:00, kur u vendos mbajtja e seancës. Kreu i grupit parlamentar socialist tha se janë të hapur për të konsultuar kandidatura me të gjitha grupet parlamentare, me kushtin e vetëm që këto kandidatura të mos kenë mbështetjen e Sali Berishës.
Në fund u vendos që seanca e votimit për raundin e katërt të caktohet ora 18:00 e datës 4 qershor, që i bie ditën e shtunë. Të premten, Rama do të mbledhë Kryesinë dhe grupin parlamentar të PS-së, ku mes pikave të diskutimit është edhe presidenti i ri.
Kandidaturat kanë afat deri në orën 12:00 që të dorëzojnë dokumentacionet pranë Kuvendit, ndërsa brenda orës 16:00, po të së shtunës Komisioni i Ligjeve duhet t’i vlerësojë ato.
Nisur nga bojkoti i paralajmëruar i opozitës, numri i kandidaturave nuk pritet që të jetë më shumë se tre. PS ka 74 mandate vetë dhe 3 mandate të PSD-së. Pra, 77 mandate në total. Që një kandidat të kalojë për votim duhet të ketë mbështetjen e 20 deputetëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje