Ashtu siç edhe dukej qysh prej fillimit të procesit, të shtunën kryeministri Edi Rama do të propozojë emrin për President duke kaluar procesin formal; atë të diskutimit në kryesi të premten dhe një ditë pas në seancën plenare.
Taulant Balla nuk zbuloi detaje konkrete të identikitit, duke përsëritur atë që Rama ka thënë prej kohësh se mund të jetë grua ose burrë, një kandidat i ndryshëm nga Ilir Meta, dhe jo deputet i PS-së.
Rama do ta zgjedhë vetë emrin ashtu siç ka bërë edhe me kabinetin e tij qeveritar dhe emërime të tjera të rëndësishme.
Paçka zarfave dhe talljes që i bëri edhe të vetëve që u angazhuan në një proces dy javor për të propozuar emra kandidatësh.
Para faktit të kryer është edhe opozita, përfaqësues të së cilës i drejtuan një kërkesë logjike e të sinqertë në Konferencën e Kryetarëve; “Të paktën të mos zgjedhë një President qesharak”
Agron Gjekmarkaj i bëri thirrje mazhorancës të mos zgjedhë një President askushi.
“Ju mund të mbanit qëndrime ndaj grupeve të caktuara të opozitës, por keni detyrimin etik të respektoni gjysmën e Shqipërisë që ka votuar opozitën në këtë parlament. Po flitet për opozitën sikur humbi një shans për të pasur një president, në fakt opozita asnjëherë nuk ka pasur një ofertë reale për të zgjedhur Presidentin e Republikës. Ju tashmë keni hyrë në fazën e zgjedhjes së Presidentit për ta zgjedhur vetë, nuk i keni ofruar asgjë opozitës sepse ia ofron Kushtetuta, jo ju. Kam frikë që Presidenti do vijë nga askundi për të qenë askushi. Jam i bindur se PS ka pafund personalitete që i kanë shërbyer vendit. Meqenëse po merrni këtë përgjegjësi për të zgjedhur, keni një mbingarkesë pushteti piramidal. Ishte një mundësi për të krijuar një nisje të re, nuk kam pasur besim se do ndodhte, por shpresë duhet të ketë çdokush. Meqenëse po shkoni drejt zgjedhjes ashtu siç deshët, mos lejoni që në krye të shtetit shqiptar të zgjidhet një askush. Të jetë një personalitet politik i PS-së që ne ta gjykojmë si të tillë”, tha Gjekmarkaj.
Edhe Fatmir Mediu i mëshoi kësaj ideje duke pranuar pikësëpari fajin brenda opozitës.
“…Në këtë rast opozita është e panevojshme në proces, absurde që të kërkosh përjashtimin e një pale dhe të kërkosh ta zgjedhësh ti, opozita nuk mund të ngelet në mëshirën e PS, opozita duhet të ndërtojë një raport me opinionin politik, opozita marrëveshjen e ka me qytetarët shqiptar, opozita ka pasur dhe ka njerëz dinjitoz për të qenë president, të përcaktonte një kandidat, apo 2, për t’i vënë përballë PS në mënyrë që ne të mos përfundojmë që të zgjedhim një president sa për të kaluar radhën dhe nëse nuk ka marrëveshje, e ka marrëveshjen me qytetarët, më vjen keq që në moment që ne jemi si vend dhe si rajon, ky proces u paragjykua që në fillim dhe fundi është i qartë. Të bëhet reflektim që të mos kemi një president qesharak”, tha Fatmir Mediu.
Seanca për zgjedhjen e Presidentit të ri do të mbahet të shtunën, kur të vetmen gjë të sigurt që socialistët konfirmojnë është se Rama nuk do ta lërë emrin e pasuesit të Metës në raundin e fundit.
Sipas të gjitha gjasave, Presidenti do të zgjidhet në raundin e katërt të shtunën me “bekimin” e vetë kryeministrit Rama. Loja është zbuluar. Të paktën të mos shkelë mbi vetë fjalët e veta; të sjellë një president alla “Meta” në versionin tjetër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje