Politike

PD vendos: Më 4 dhjetor votimi i kandidatëve për kryebashkiak, veçohen Tirana, Durrësi e Elbasani

Gazeta Si – Kryesia e Partisë Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha ka miratuar kalendarin për të cilën do të realizohet procesi i primareve për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar bashkie.

Është vendosur që nga 18 tetori deri më 6 nëntor do të realizohen negociatat me aleatët e PD-së dhe do të bëhet procesi për evidentimin e kandidaturave për procesin e primareve.

Mësohet se kalendari parashikon që nga data 6 nëntor deri në 13 nëntor të filtrohen kandidaturat dhe dalin kandidatura zyrtare.

Ndërsa nga data 13 nëntor deri në 4 dhjetor, kandidatët zhvillojnë fushatën për primaret. 

Sipas këtij programimi, është vendosur që me 4 dhjetor të bëhet votimi i kandidatëve në të gjithë Shqipërinë.

Por Berisha duket se po ndjek një strategji për të kënaqur edhe Ilir Metën, kreun e Partisë së Lirisë, i cili ka kërkuar që në bashkitë e mëdha kandidatët të përcaktohen edhe më herët.

Kështu është vendosur që për Tiranën, Durrësin dhe Elbasanin procesi i primareve mund të zhvillohet me shpejt.

“Do të zhvillohen takime intensive me aleatët tanë për të gjetur gjuhën e përbashkët. Ka sugjerime të drejta, ka propozime të arsyeshme dhe theksoj që mirëpriten të gjitha sugjerimet e tyre, mirëpriten të gjitha kandidaturat e tyre, mirëpriten në mënyrë të padiskutueshme kandidatura nga shoqëria civile dhe bota akademike e vendit”, tha Berisha.

Kryesia ka vendosur gjithashtu që në procesin e primareve të votojnë veç anëtarëve, dhe simpatizantët.

Sipas vendimit të marrë, simpatizantët do të regjistrohen më vete, duke shkuar pranë grup seksionit.

Regjistrimi i tyre do të bëhet në çdo seksion të degëve të PD, sipas vendbanimit të simpatizantëve dhe procesi i regjistrimit duhet të përfundojë 5 ditë para datës së primareve.

Kreu demokrat theksoi se edhe aleatët do të kenë mundësi të përfshihen në këtë proces me sugjerimet e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë