Bashkëpunimi Rama-Basha, nëse do të ketë një të tillë, do të duhet të rinisë fill pas konstituimit të Parlamentit të ri aty ku u mbyll në 2019-n; reforma në drejtësi. Këshilli i Lartë Gjyësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë hapur vakancat për pesë anëtarë në total, ku dy prej tyre janë emërime të Kuvendit dhe tre të tjerat janë emërim i vetë sistemit të drejtësisë.
Si Kuvendi, ashtu edhe Gjykata e Lartë dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë publikuar thirrjet për kandidatë, ndonëse me afate të ndryshme. Kuvendi i është referuar datës 11 gusht, ndërsa Gjykata e Lartë dhe Prokuroria e Përgjithshme i janë referuar datës 3 shtator, duke llogaritur periudhën e pushimeve.
Gjithsesi, zgjedhja e dy anëtarëve të rinj të KLGj dhe KLP, mandati i të cilëve skadon më 31 dhjetor, duket një çështje periferike e debatit politik, por që mund të përcaktojnë balancat në dy institucionet me nga 11 anëtarë secili.
Për këtë arsye, plotësimi i këtyre vakancave nuk mund të konsiderohet si test i vërtetë i bashkëpunimit të mundshëm Rama-Basha. Testi i vërtetë pritet të lidhet me Kushtetutën, emrin e pasuesit të Ilir Metës në Presidencë, konsensus për zgjedhje të parakohshme vendore dhe një ndarje e re territoriale.
Sa u takon ndryshimeve kushtetuese, Lulzim Basha e shprehu hapur dëshirën e tij për ndërhyrje. Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, më 31 gusht, kreu i opozitës kritikoi si arkaike ndryshimet Rama-Berisha të 2008-s dhe premtoi ndryshim të saj.
“Ndryshimet kushtetuese të 2008-ës nuk i përshtaten më nevojës ulëritëse të shoqërisë shqiptare për më shumë demokraci, për kontrollin dhe balancën e pushteteve, ndaj për t’i dhënë fund kapjes së shtetit, duhen ndryshime rrënjësore”, deklaroi Basha.
Rama i dha sinjalin se si kusht të bashkëpunimit me opozitën kishte vetëm një dhe ai nuk lidhej me asnjë prej kërkesave të opozitës.
“Sikur PD të thotë jemi gati që anglisht mos e shajmë më Shqipërinë, do më jepte motivimin që së bashku me të tjerët t’i ktheheshim me një kundërofertë të fuqishme. Sikur të na japin fjalën solemnisht fjalën që nuk do e shajmë më Shqipërinë në anglisht”, deklaroi Rama.
Teste të tjera të bashkëpunimit Rama-Basha, që mund të fillojë nga kjo vjeshtë janë Kodi Zgjedhor, emri i Presidentit të ri, reforma territoriale dhe zgjedhjet e reja vendore. Në lidhje me Kodin Zgjedhor, reformën territoriale dhe zgjedhjet e parakohshme vendore, Gazeta Si mëson se në PD qarkullon një propozim që këto tre çështje të trajtohen paketë në një dialog të mundshëm me mazhorancën.
Propozimi në fjalë kërkon që fillimisht të diskutohet ndarja e re territoriale e vendit, më pas ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe në fund mbajtja e zgjedhjeve të reja vendore me kodin e ri dhe ndarjen e re territoriale. Sipas opozitës, nëse ka vullnet politik nga ana e mazhorancës të gjitha këto çështje mund të dialogohen, gjehet konsensus dhe përmbyllen brenda gjashtë muajve.
Ndërkohë, sa i takon emrit të Presidentit të ri, Partia Demokratike mendon se kjo është një çështje që mund të presë deri në fillim të vitit të ardhshëm për diskutim, ndërkohë që nga socialistët, që Ilir Metën e shkarkuan në Kuvendin e vjetër nuk ka një qëndrim konkret për këtë çështje.
Se si do të rrjedhë klima politike dhe bashkëpunimi Rama-Basha në Parlament do të mësohet me nisjen e legjislaturës së re, duke filluar prej datës 10 shtator.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje