Gent Cakaj nuk u dekretua kurrë si ministër i Jashtëm nga ana e Presidentit Ilir Meta dhe për të shmangur ngërçin e krijuar pas shkarkimit të Ditmir Bushatit në këtë institucion, Kryeministri Edi Rama në janar të 2019-ës e mori vetë këtë post dhe më pas ja kaloi detyrat Cakajt.
Kjo do të thotë se për emërimin e Olta Xhaçkës në krye të diplomacisë, Presidenti Ilir Meta nuk mund të dekretojë shkarkimin e Gent Cakajt, por duhet të dekretojë shkarkimin e Edi Ramës, që mbajti postin e ministrit të Jashtëm për thuajse dy vite, një nga të cilët edhe si President i OSBE-së.
Në fund të 2018-ës, kur vendosi largimin e Ditmir Bushatit dhe propozoi emrin e panjohur deri në ato ditë të Gent Cakajt si pasues në krye të Ministrisë së Jashtme, Kryeministri Edi Rama deklaronte se “nuk shihte asnjë arsye se përse Presidenti nuk do të dekretonte ndryshimet e reja në Qeveri”.
Presidenti dekretoi gjashtë ndryshime, por jo të atë të Gent Cakajt. Cakaj u refuzua. Në letrën e refuzimit dërguar Kryeministrit, Meta e cilëson Gent Cakajn, 30 vjeç, si të papërshtatshëm për postin e ministrit të Jashtëm, në një kohë që vendi përgatitej për kryesimin e OSBE-së.
“Profili i z. Genti Cakaj, i propozuar për postin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme ka mungesë të qartë të përvojës politike, diplomatike, administrative, shtetërore, në secilin element dhe në tërësi”, deklaronte Presidenti. Pozicioni i ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme është një nga postet më të rëndësishme në kabinetin qeveritar, aq më tepër tani kur vendi është pjesë e Trojkës së OSBE-së dhe në më pak se një vit përgatitet të marrë kryesimin e saj, një hap historik dhe një përgjegjësi që kapërcen kufijtë e Shqipërisë dhe rajonit tonë”, deklaronte Meta.

Pas debateve politike në distancë me Metën, Kryeministri u tërhoq nga këmbëngulja për ta emëruar Cakajn si ministër dhe si zgjidhje gjeti emërimin, më pas votimin dhe betimin e vetvetes te Ilir Meta në krye të diplomacisë shqiptare. Dy ditë më vonë, përmes një ceremonie i dorëzoi kompetencat tek Cakaj, duke e bërë atë ministër të Jashtëm në Detyrë.
Kjo rrugë e zgjedhur nga Kryeministri mbylli çdo shteg e mundësi juridike që Presidenti të kundërshtonte.
“Presidenti nuk ndërhyn dhe nuk komenton për aktet e organizimit të brendshëm të ekzekutivit apo të ministrive. Unë si President i Republikës respektoj Kushtetutën dhe i kam shumë të qarta kompetencat e mia se cilit institucion mund t’i delegoj autoritetin kushtetues për të lidhur marrëveshjet ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Meta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje