Bota

Përplasje diplomatike mes Melonit dhe Macron për vizitën e Zelenskit në Paris

Gazeta Si – Është një përplasje e vërtetë diplomatike, në prag të mbledhjes së Këshillit Evropian, jo e para mes Italisë dhe Francës, që kur lindi qeveria e qendrës së djathtë.

Për kryeministren Giorgia Meloni, ftesa e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Paris të mërkurën pasdite (kur u takua me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz) ishte “e papërshtatshme”.

Kryeministrja italiane foli përpara se të merrte pjesë në punimet e Këshillit Evropian në Bruksel.

“Forca jonë është uniteti”, tha Meloni, duke kritikuar presidentin francez Emmanuel Macron për ftesën që, sipas mendimit të saj, do të minonte unitetin europian.

Ka raste kur çështjet e brendshme politike “rrezikojnë në dëm të kauzës së përbashkët” të Evropës.

Zelenski kishte qenë më parë në Britani, ku u prit nga kryeministri Sunak dhe mbreti Charles III.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se nuk kishte “komente për të bërë” mbi deklaratat e Giorgia Melonit.

“Doja të prisja presidentin Zelensky me kancelarin Scholz, mendoj se ne ishim në rolin tonë. Gjermania dhe Franca, siç e dini, kanë pasur një rol të veçantë për tetë vjet për këtë çështje, sepse ne gjithashtu e kemi udhëhequr këtë proces së bashku”, tha Macron, teksa mbërriti në Këshillin Evropian.

Për presidentin francez, gjëja më e rëndësishme është të jetë “efektiv” dhe se ekziston një strategji e dobishme për “gjetjen e një paqeje të qëndrueshme” që “respekton të drejtat e Ukrainës” dhe “kufijtë e saj”.

Marrëdhëniet mes Italisë dhe Francës nuk kanë qenë më të qeta në muajt e fundit. Përplasja më e fortë ishte për çështjen e emigrantëve nëntorin e kaluar, kur Parisi pranoi të priste, jo pa kritika ndaj Italisë, anijen “Ocean Vicking” të OJQ-së Sos Mediterranee me 234 persona në bord që Italia e kishte refuzuar.

Palazzo Chigi më pas hodhi poshtë akuzat franceze, duke ftuar “të mos japin mësime” dhe duke folur për një “reagim joproporcional”.

Më pas, ka qenë ndërhyrja e Presidentit të Republikës, Sergio Mattarella, me një shkëmbim telefonik me presidentin francez, për të rivendosur një qetësi më të madhe në marrëdhëniet mes dy shteteve.

Por fërkimet mbetën aq sa udhëtimi i paralajmëruar i kryeministres italiane vazhdon të shtyhet. Një shenjë e qartë se marrëdhëniet nuk janë pa dallime.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë