Bota

Zelenski takon Macron dhe Scholz në Paris: Armë dhe avionë sa më shpejt

Gazeta Si – Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski filloi një turne të papritur në Evropë më 8 shkurt, me vizita në Britani dhe Francë, duke shënuar udhëtimin e tij të dytë jashtë vendit që nga pushtimi rus, thuajse një vit më parë.

Pas vizitës në Britani, presidenti ukrainas mbërriti në Paris për një darkë me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman Olaf Scholz.

Duke folur në Paris, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i kërkoi homologut të tij francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz për aeroplanë dhe armë të rënda “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Macron, me rastin e deklaratës së përbashkët në Elysee në Paris me presidentin ukrainas dhe kancelaren gjermane, i shprehu liderit të Kievit “solidaritetin, mbështetjen dhe vullnetin për të shoqëruar Ukrainën drejt fitores, drejt paqes dhe drejt Europës”.

Ukraina mund të llogarisë tek partnerët e saj evropianë dhe ndërkombëtarë për të “fituar luftën”, siguroi Macron, duke thënë se Kievi mund “të llogarisë tek ne për të ndërtuar paqen”.

Pjesëmarrja e tij në samitin e BE-së në Bruksel do të jetë “një sinjal i solidaritetit evropian”, tha kancelari gjerman Olaf Scholz pas takimit.

Zelenski do të marrë pjesë në samitin e BE-së në Bruksel, më 9 shkurt, si i ftuar nderi, prej ku pritet që t’iu të bëjë presion aleatëve perëndimorë që t’i japin Ukrainës avionë luftarakë “sa më shpejt të jetë e mundur” në luftën kundër Rusisë.

Zelenski, një ditë më parë, gjatë vizitës së tij në Londër, falënderoi popullin britanik për mbështetjen e tyre që nga “dita e parë” e pushtimit të Moskës gati një vit më parë, ndërsa kryeministri britanik Rishi Sunak tha se avionët luftarakë ishin “pjesë e bisedës” për ndihmën për Ukrainën.

Pasi kanë marrë premtime për tanke luftarake perëndimore javët e fundit, zyrtarët ukrainas janë përqendruar tani në përpjekjet për të siguruar furnizim me raketa dhe avionë luftarakë me rreze më të gjatë veprimi.

Qeveritë perëndimore deri tani kanë hedhur poshtë kërkesat për avionë, duke argumentuar se ato nuk i duhen Ukrainës për momentin dhe se do të duheshin vite për të trajnuar pilotët ukrainas për t’i përdorur ato.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë