Politike

PL: Inceneratori i Fierit mori kredi nga garancia shtetërore. Certifikimi bllokohet nga një kompani e huaj

Partia e Lirisë publikoi të tjera dokumente, këtë herë në lidhje me inceneratorin e Fierit. Sipas dokumentacionit të publikuar nga PL, ky incenerator ka përfituar të paktën 5 mln dollarë kredi nga bankat e nivelit të dytë duke lënë peng kontratën koncesionare.

Kredia e parë prej 2.2 mln dollarësh është marrë menjëherë pas firmosjes së kontratës me qëllim pagesat e punonjësve. Sipas PL-së, kjo tregon se kompania nuk kishte kapacitetet financiare për kryerjen e këtyre punimeve dhe ishte plotësisht e varura nga paratë që merrte nga buxheti i shtetit.

Kredia tjetër, sipas denoncimit të PL-së është marrë në shtator të 2020, ku inceneratori i Fierit ka përfituar 3 mln dollarë të tjera sërish për paga përmes mekanizmit të garancisë sovrane, që Qeveria e miratoi për t’u ardhur në ndihmë bizneseve të goditur nga kriza.

Por, inceneratori i Fierit, tha Briseida Shehaj nga PL, nuk është pjesë e bizneseve që u goditën nga pandemia dhe mbyllja, pasi ai e vijoi aktivitetin.

Çështja tjetër që denoncoi Partia e Lirisë lidhej me letërkëmbimet mes kompanisë së inceneratorit, supervizorit të punimeve dhe njësisë zbatuese të projektit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Sipas këtyre letërkëmbimeve, kompania ka njoftuar supervizorin më 31 mars të 2021 për përfundimin e punimeve dhe marrjen në dorëzim të veprës.

Por, pak ditë më vonë, më 4 prill të 2021 inceneratori është testuar në prani të Kryeministrit Edi Rama. Sipas denoncimit të PL-së, testimi ishte vetëm për fushatë, pasi vepra nuk ishte gati.

Për më tepër, në letërkëmbimet e publikuara nga Partia e Lirisë thuhet se inceneratori nuk mund të vihet kurrë në punë ligjërisht pa u certifikuara nga kompania ndërkombëtare “Ruths”. Kjo kompani, sipas asaj që deklaroi Shehaj ka një pagesë për të marrë prej 6 mln eurosh dhe pa u kryer kjo pagesë inceneratori nuk pajiset me certifikatat e nevojshme për t’u vendosur në punë.

Pas publikimit të këtyre dokumenteve, deputeti Petrit Vasili kërkoi nga SPAK që të reagojë mënjëherë.

“Si rregull SPAK duhej të vepronte pa e përfunduar mirë ne këtë konferencë për shtyp. Ky është rasti që SPAK të tregojë se përse u ngrit”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë