Gazeta Si – Dokumentet e klasifikuara që përshkruajnë “planet sekrete të SHBA-së dhe NATO-s” për të forcuar forcat ukrainase përpara ofensivës së pranverës kundër Rusisë, u publikuan këtë javë në Twitter dhe Telegram, sipas “New York Times”.
Gazeta amerikane shton se Pentagoni po heton se kush mund të qëndrojë pas këtyre “rrjedhjeve” që shfaqeshin në formën e fotove të grafikëve dhe tabelave për dërgimin e armëve në Kiev dhe për fuqinë e batalioneve të veçanta.
Megjithatë, kanali rus Telegram “Readovka”, shkruan se këto dokumente (të datës 1 mars), mund të jenë false, të shpërndara në mënyrë specifike nga vetë inteligjenca amerikane për të “qetësuar dhe ngatërruar forcat e Moskës” përpara fillimit të ofensivës së afërt ukrainase.
Sipas “Readovka”-s, një nga të dhënat për këtë është se dokumenti shpesh flet për “mungesë përgatitjeje” të forcave ukrainase.
Një dokument që duket se detajon shpenzimet për sistemet e artilerisë HIMARS, informacion që ishte mbajtur sekret, vijon “Times”; një tjetër, përshkruan dymbëdhjetë brigada ukrainase, nëntë prej të cilave të trajnuara nga SHBA dhe NATO, duke specifikuar pajisjet e tyre dhe datat në të cilat ata mund të ishin gati për të luftuar kundër rusëve (nga nëntë të trajnuar nga perëndimorët: gjashtë deri më 31 mars, tre të tjera nga fundi i prillit).
Gazeta amerikane, pohon gjithashtu se dokumentet duket se janë modifikuar nga rusët, sepse ata raportojnë një numër të ekzagjeruar të ushtarëve ukrainas të vdekur (71,500) dhe një numër më të vogël të trupave ruse të vrarë (17,500; por në realitet vlerësohen midis 40,000 dhe 60,000).
Këto ndryshime sugjerojnë se operacioni është i lidhur me aktivitetet e dezinformimit nga Moska, përfundon gazeta.
Ndërsa kanali rus i lajmeve “Readovka” pretendon se edhe kjo është pjesë e operacionit “psikologjik” për të qetësuar armikun e kryer nga një plan amerikan.
Shtëpia e Bardhë, tha dje se nuk kishte arritur ende ta fshinte plotësisht këtë informacion nga rrjetet sociale.
Do të ishte rrjedhja e parë e inteligjencës amerikane e bërë publike në këtë luftë. Dokumentet nuk përmbajnë plane specifike luftarake se si, kur dhe ku synon të sulmojë Kievi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje