Politike

Pollo: Ku dallon lëvizja e Foltores nga ato të mëparshmet, tre veçoritë

Ish-Ministri i Arsimit dhe ish-deputeti i qarkut Berat, Genc Pollo, pas pjesëmarrjes në takimet e Berishës në këtë qark, ka arritur në disa konkluzione se ku dallon lëvizja e Foltores nga ato të mëparshmet.   

“a) sfidon drejtues partiakë të cilët kanë shënuar vetëm disfata zgjedhore përgjatë tetë viteve. Në rastet e mëparshme kredibiliteti e legjitimiteti i drejtuesve zyrtarë nuk ka qenë në nivel kaq të ulët.

b) arrin të përfshijë në debat dhe të sigurojë përkrahjen e një numri të lartë aktivistësh e përfaqësuesish të cilët reflektojnë  mazhorancën e anëtarësisë e përbëjnë shumicën e kuvendit e mbase të organeve të dala nga kuvendi si këshilli e kryesia.

c) po ndjek me pedantizëm rrugën statutore për arritjen e synimit politik të shpallur: duke mbledhur me durim nënshkrimet e çdo delegati për të shkuar më pas, sipas rregullave, tek kuvendi. Ata që e kritikojnë  Foltoren si “jo konservatore” sepse nuk sillet si “institucionale” por si “revolucionare” duket se po fiksohen vetëm tek ca verbalizma të nxehta, me gjasë dhe të tepruara, dhe nuk po dallojnë dot as pemën e veçantë në pyll dhe as pyllin që formojnë pemët”, nënvizon ai përmes një analize rreth situatës në PD.

Pollo madje e cilëson foltoren edhe si rilindje të konservatorizmit.

“Një nga aspektet interesante të Foltores është trajtimi i çështjeve social-kulturore në prizëm ‘politikisht jokorrekt’. Denoncimi i qeverisë për korrupsion, krimininalitet e të tjera si këto janë vargje nga një refren tetëvjeçar. Por referimi tek tradita, kundërshtimi i ideologjive gender, fokusi tek familja konvencionale e më tej tek masat shtetërore për të lakuar përpjetë kurbën demografike janë një freskim i mirëpritur i debatit publik. Këto tema i shërbejnë edhe diferencimit programatik mes partive duke i bërë publikut më të qartë dallimin e votuesve më të lehtë zgjedhjen”, vëren ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë