Ish-kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi doli me një deklaratë duke kërkuar marrjen të pandehur në SPAK të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, që sipas saj ka shkelur me vetëdije ligjin për vetëqeverisjen vendore, tejkaluar kompetencat, përvetësuar kompetencat e Këshillit Bashkiak të kryeqytetit dhe ka gënjyer para Komisionit Hetimor Parlamentar të inceneratorëve.
“SPAK të mos shkojë me pushime, por të vendosë para drejtësisë shkelësit e ligjit dhe të gjithë procedurave shtetërore. Erion Veliaj gënjen në komisionin hetimor: thotë se ka një gërmë G në Vendimin e Këshillit Bashkiak, kur JA, shikojeni, ku ka një gërmë G në këtë vendim që ai i referohet”, deklaroi ajo.
Sipas dokumentave të publikuara nga Kryemadhi, vendimi i Këshillit Bashkiak që i është referuar Veliaj në dëshminë e dhënë para Komisionit është një muaj pasi ishte firmosur kontrata koncesionare me dakordësinë vetëm të kryebashkiakut.
“Erion Veliaj e kishte dhënë dakordësine e Bashkisë Tiranë për të marrë përsipër 91 milionë euro pagesa, siç kërkohej paraprakisht për të vijuar procedurat koncesionare”, thotë ajo.
Ish-kryetarja e LSI-së lë të kuptohet se në SPAK mund të ketë konflikt interesash për hetimin e Veliajt.
“Inceneratorët janë simboli i qeverisjes së vendit dhe koha nuk pret. Nuk duhet të ekzistojë asnjë hezitim, asnjë aryse për intimidim, asnjë konflikt interesi, me të afërm në punë, apo leje pallatesh në Tiranë, Durrës, apo në cfarëdo qyteti të vendit”, thotë ajo.
Duke iu referuar një mbledhjeje të komisionit të prokurimit të ngritur për koncesionin e inceneratorit të Tiranës, Kryemadhi thotë se me të drejtë përfaqësuesit e Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve kanë kërkuar që kontrata të miratohej më parë nga Këshilli Bashkiak, jo nga kryetari i Bashkisë së Tiranës.
“Por ky propozim i tyre nuk u mbështet nga anëtarët e tjerë të Komisionit të Dhënies me Koncesion dhe konkretisht nga përfaqësuesit e Bashkisë Tiranë, Taulant Tushe dhe Namik Simixhiu, duke u shprehur se nuk është i nevojshëm miratimi i kontratës me vendim të Këshillit Bashkiak”, deklaroi ish-kryetarja e LSI-së.
Kryemadhi zbulon edhe arsyen e këtij qëndrimi.
“Pa diskutim që përfaqësuesit e Bashkisë Tiranë anëtarë të Komisionit të Koncesionit, do të refuzonin për miratimin e kontratës koncesionare me Vendim të Këshillit Bashkiak të Bashkisë Tiranë, pasi nëse do të vepronin ndryshe do të zbulonin paligjshmërinë e firmës së kryetarit të tyre”, shton ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje