Mbledhja e fundit që Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar me kryebashkiakët socialistë të vendit ishte në muajin korrik, pak ditë pasi SPAK çoi në pranga ish-kryebashkiakun e Lushnjes, Fatos Tushe me akuzën e korrupsionit me tenderat.
Në atë mbledhje, pasi njoftoi vendimin për shkarkimin e Tushes Rama porositi kryebashkiakët e tjerë që të mos ndërhyjnë në tendera, se “po luanin me zjarrin”. Dy muaj e pak nga ai takim, Rama i thërret sërish kryebashkiakët.
Kryeministri do të zhvillojë në mesditë një takim me ta. Agjenda dhe tema e takimit nuk bëhet me dije.
Në takimin e korrikut, Kryeministri Edi Rama përçoi disa mesazhe të drejtpërdrejta.
“Ju këshilloj sinqerisht; mos u përzini në proceset e prokurimit publik! Mos luani me një zjarr që do të bëhet gjithnjë e më përvëlues në kushtet kur drejtësia e re do të ketë të gjithë mbështetjen time dhe të Partisë Socialiste kundër kujtdo ndër ju, apo kudo qoftë që do të luajë me zjarrin”, tha Rama.
Rama u lexoi kryebashkiakëve gjetjet e një raporti të Agjencisë së Prokurimit Publik, që u ofron asistencë teknike bashkive për procedurat e tenderimeve. Kryeministri tha se më shumë se gjysma e bashkive nuk kanë reaguar ndaj rekomandimeve të APP.
“APP ka bërë disa rekomandime precize bashkive për tenderat. 52.5 për qind nuk kanë reaguar dhe nuk kanë bërë asnjë reflektim në proces të rekomandimemve teknike të APP”, tha ai.
Po duke iu referuar të dhënave të APP, Rama tha se në 47 bashki dhe në më shumë se gjysmën e tenderave totalë për 2020, në garë ka marrë pjesë vetëm një operator ekonomik.
Kryeministri tha se qepja e tenderit si kostum me porosi cenon drejtpërdrejtë shkallën dhe nivelin e pjesëmarrjes dhe të drejtën e konkurrencës. “Është një teknikë grabitqare, e shëmtuar dhe përjashtuese”, deklaroi ai.
Rama tha se me ndryshimet e reja në rregullat e tenderave janë ashpërsuar edhe ndëshkimet për shkelësit. “Nga dënim me gjobë ne do të kalojmë te denoncimi në SPAK në çdo rast kur dyshimet janë të arsyeshme se bëhet fjalë për tender korruptiv”, vijoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje